Transmetuar më 10-04-2021, 16:21

Një nga drejtuesit më të rëndësishëm të shtetit komunist thotë se gabimet më të mëdha janë bërë në ekonomi dhe lidhjet me jashtë. Si e rrëzoi komunizmin parimi i “mbështetjes në forcat tona”. Historia me priftin që takoi Shtrausin dhe mbledhja e pazakontë e Qeverisë… për një dhëmb të Vaçe Zelës

Muho Asllani ishte një ndër 15 anëtarët e Byrosë Politike, kupola reale që qeveriste Shqipërinë në kohën e komunizmit. Por ishte i vetmi që nuk jetonte në Bllok. Duke qenë vazhdimisht njeri i terrenit, ai ka lëvizur në mënyrë të vazhdueshme nëpër rrethe, ku drejtonte komitetet e partisë si sekretar i parë.

Por ka qenë një periudhë kur ka punuar si ministër shteti në qeverinë e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, në atë kohë numri 2 i regjimit. Sot, 27 vjet pas rënies së komunizmit, ai ende mendon se regjimi nuk ra për pakënaqësi politike, por për vështirësitë ekonomike.

Në këtë intervistë që ju sjell më poshtë noa.al në kuadrin e specialeve për 36 vjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës, Muho Asllani ka treguar se si qeverisej ekonomia shqiptare dhe shtrëngimi i madh i dorës me fondet e shtetit.

Dhe një histori e rrallë: mbledhja e Qeverisë për vetëm ca gramë flori që duheshin për të rregulluar një dhëmb të këngëtares së madhe, “Artistes së Popullit”, Vaçe Zela

Intervistuar nga: Alket Aliu

Ku mendon se keni gabuar gjatë qeverisjes, si parti dhe si qeveri?

Unë isha më i riu në Byronë Politike, por nuk e përjashtoj veten nga përgjegjësia për ato gjëra që kanë ndodhur. Gabimet më të mëdha mendoj se kanë ndodhur në politikën e jashtme dhe ekonomi. Jemi nisur nga parimet e marksizmit dhe nuk kemi “lëvizur nga istikami”.

Ishte ekonomia që e rrëzoi komunizmin dhe gabimet tona në planifikim dhe lidhjet me jashtë. Jam i bindur se nuk duheshin prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, aq më tepër me Kinën, por duheshin krijuar lidhje edhe me Perëndimin, sidomos me Turqinë, Italinë, Francën dhe ndonjë vend tjetër.

Ne jemi nisur ne marrëdhëniet ndërkombëtare nga ana parimore dhe filozofike, ndërsa duhet të ishim shumë më të prirur për anën praktike. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik na u afrua edhe Franca, edhe Turqia, edhe vende të tjera të Perëndimit, por ne nuk lëvizëm. Hrushovi na mbylli rubinetat, por në atë kohë na ndihmoi Kina.

Kina na ndihmoi për të ngritur gjithë ato vepra të mëdha që kemi ndërtuar, na mbushi edhe me armatime moderne, deri edhe me avionë të teknologjisë së fundit, madje edhe MIG-21 apo MIG-29. Por edhe me Kinën filloi ftohja që kur Shkoi për vizitë Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Niksoni. Edhe në këtë rast morëm për bazë mësimet e marksizmit dhe marrëdhëniet u prishën. Nuk e kuptuam se mungesa e një prakticiteti të tillë po na çonte sërish në mbylljen e rubinetave. Deri në atë periudhë, shqiptarët jetonin relativisht mirë, pastaj erdhi sërish varfëria.

Ju flisni për Perëndimin, por pati një moment kur erdhi shansi me vizitën e Shtrausit…

Kur erdhi Shtrausi, kam qenë Sekretar i parë në Durrës. Shtrausi kishte kryer universitetin teologjik, pra ishte nisur për prift dhe kishte përfunduar në politikë. Më kujtohet se ai kishte patur një shok shkolle, një prift shqiptar që kishte studiuar në të njëjtin fakultet në Gjermani dhe që ishte burgosur në Shqipëri. Shtrausi kërkoi ta takonte këtë shok të vjetër të shkollës. E morëm priftin, e nxorëm nga burgu, e qethëm, e rregulluam, e porositëm se do hante plumbin po të tregonte gjëra që nuk duheshin thënë dhe e çuam në Tiranë, në takim me Shtrausin.

Me bisedimet politike u mor Foto Çami. Nuk e di konkretisht se çfarë u ofrua, pasi këto ishin çështje që diskutoheshin në rreth shumë të ngushtë. Di që ne kërkuam reparacionet e luftës, por ai tha se nuk ishte e mundur, pasi nuk e lejonte Kushtetuta e Gjermanisë. Por u ofrua për ndihma të tjera. U tha se ishte një rast i humbur për kokëfortësinë e palës shqiptare, por unë di që Shtrausi na ndihmoi edhe pasi bisedimet nuk dolën me sukses. Kanë ardhur në Shqipëri disa autokombajna e traktorë me goma të mëdha dhe me kabina me ajër të kondicionuar. Na solli 300 mëshqerra barsë që i vendosëm në Xhafzotaj. Rasti i Shtrausit ishte vërtet një gabim nga pala shqiptare.

Sërish një gabim teorik apo edhe praktik?

Të dyja bashkë. Teorikisht, mbyllja në vetvete, parimi i bërjes së çdo gjëje me forcat tona, ishte një gabim fatal në ekonomi. Po marr rastin e kombinatit të autotraktorëve apo UMB-së së Durrësit. Ne arritëm të prodhonim traktorë dhe autokombajna, por me çfarë kostoje? Unë jam marrë direkt me këtë çështje në atë kohë. Kostoja e prodhimit të një autokombajne CK3 ishte sa trefishi i çmimit që mund ta blinim nga Polonia. Me koston e një traktori të prodhuar në vend, mund të blinim 2 apo 3 traktorë nga Kina.

Por edhe praktikisht, rastin e Shtrausit duhet ta konsideronim si një mundësi të artë për hapje ekonomike dhe jo të kërkonim vetëm para të thata në dorë, kur ata e kishin të pamundur një gjë të tillë.

Muho Asllani

Çfarë mund të prodhohej në vend të këtyre makinerive që përmendët më parë?

Kishte plot gjëra që mund të prodhoheshin në vend të tyre. Po marr si shembull pajisje elektroshtëpiake, frigoriferë apo të tjera që mund t’i prodhonim edhe për tregun tonë, edhe për eksport. Ekonomia nuk mund të funksiononte në këtë mënyrë. Ndoshta për brezin tonë ishte mirë, pasi ishim mësuar me sakrifica, por nuk mund të vazhdonte gjatë. Shembull tipik i kësaj është ndihma që na erdhi menjëherë nga Turqia dhe Italia, por edhe vende të tjera, menjëherë pas ngjarjeve të dhjetorit ’90. Është një fakt që shumë pak njerëz e dinë, por në vitin 1991, Turqia na ndihmoi jashtëzakonisht. Kryeministri i atëhershëm, Adil Çarçani, shkoi një javë në Turqi dhe, kur u kthye, na raportoi për një mori ndihmash që kishte rënë dakord të na jepte Turqia.

Adil Çarçani ishte zv/Kryeministër në kohën e Mehmet Shehut. Ishte shumë inteligjent dhe shumë i matur. Shpeshherë e frenonte Mehmet Shehun, që kishte një temperament shumë të vrullshëm. I kam njohur të dy në kohën kur kam qenë ministër shteti, pa portofol, në kohën e Mehmetit. Kam punuar dy vjet e gjysmë si ministër. Më pas, Adil Çarçani u emërua Kryeministër, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe, pas rënies së komunizmit, së bashku me Ramiz Alinë, drejtuan momentet e para të tranzicionit.

A e konsideroni Enver Hoxhën përgjegjës për këto gabime?

Edhe Enver Hoxha ka përgjegjësi për këto, por edhe të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Edhe pse unë u zgjodha në vitin 1981, kur kjo punë kishte marrë fund, prapë duhet të kisha ngritur zërin. Mund të haja burgun, ndoshta edhe plumbin, por duhet të flisja.

Por nuk ishte vetëm kjo. Edhe kur shikoja që kishte mundësi të tjera, shtrëngoja dhëmbët dhe nuk flisja edhe për një arsye të fortë: Atë që unë mund të mendoja, e ndalonte Kushtetuta. Dhe Kushtetutën e kishim vendosur vetë. Mos harroni, se shkelja e Kushtetutës përbënte tradhti të lartë ndaj atdheut.

Po ky izolim ishte zgjedhja jonë apo e imponuar nga të tjerët?

Nuk ishte e studiuar mirë. Ndoshta nuk ishte e imponuar, por u kthye në stil jetese. Mjafton të mendosh çfarë teknologjie përzgjodhëm. Ishte një kohë kur edhe dispensat shkollore i merrnim nga Bashkimi Sovjetik…

Pse ishit kaq të ngurtë në vendimet që merrnit. Ishte më shumë çështje ekonomike apo edhe politike?

Të dyja bashkë, por politika pleksej me ekonominë duke shkaktuar ndonjëherë edhe situata të pabesueshme. Një rast tipik ishte ai i problemit që na lindi me Vaçe Zelën. Sot duket e pabesueshme, por u mblodh Qeveria për të diskutuar për një dhëmb të Vaçe Zelës.

Si ndodhi?

Isha ministër shteti në kohën kur do dilte një grup artistësh për një turne jashtë vendit. Më duket se në Kinë. Vaçe Zelës i ishte prishur dhëmbi dhe nuk e mbaj mend sa gramë flori duheshin për t’i rregulluar dhëmbin, por fare pak ishin. Problemi ishte se kishte rregulla të forta për valutën dhe floririn. E besoni që është mbledhur Qeveria vetëm për një dhëmb të Vaçes? Në atë kohë ishte Qirjako Mihali drejtor i Thesarit të Shtetit. “Nuk e lejon Kushtetuta që të përdoret floriri i shtetit për arsye personale”, thoshte Qirjako Mihali. E mbështeste Mehmet Shehu, kryeministri i kohës. Edhe Manush Myftiu nuk pranonte, ishte shumë strikt. Pas më shumë se një orë diskutimesh, kërkoj leje të flas. “Shoku Mehmet, po pse nuk më thatë të sillja ndonjë napolon flori andej nga Shkodra po na mbani tash një orë me diskutime për vogëlsira?”

Duket për të qeshur, por kjo është e vërteta, aq të shtrënguar e bënim llogarinë në atë kohë.

Ndërsa në çështje të tjera nuk ishim aq të shtrënguar.

Mund të më tregoni një rast?

Meqë folëm për një këngëtare, po tregoj për një tjetër këngëtare. Kur isha Sekretar i Parë në Durrës, më vjen një ditë babai i këngëtares Parashqevi Simaku. Më ankohet se vajzën e tij nuk e linin të dilte në turne jashtë vendit, sikurse dilnin këngëtare të tjera. Mora vesh se Parashqevia kishte ardhur në Durrës në atë kohë, ishte beqare, por kishte marrë një dhomë me qira. Mora vesh gjithashtu se arsyeja e ndalimit për të dalë jashtë ishte se kishte një kushëri të largët të arratisur. I thashë të atit të Parashqevisë të më bënte një kërkesë me shkrim.

Pyeta sekretarin e partisë së Kavajës, në atë kohë ishte Jovan Sokoli. “Jo mor Muho, më thotë, gjëra të vogla janë…tani, ca llafe ka, po kush merret me këto punë”.

I dërgova për këtë çështje një shkresë Ramiz Alisë, i cili i gjykonte këto gjëra pa inat. Ishte tolerant Ramizi, ndërsa Rita Marko ngulte këmbë të mos lejohej te dilte jashtë shtetit. Ramizi dërgoi një shkresë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kjo çështje u zgjidh. Kjo pasi, në rastin e Parashqevisë, nuk shkelej ligji, sikundër në rastin e Vaçe Zelës.

Për aksionet e rinisë në atë kohë janë bërë dhjetëra filma e dokumentarë dhe gazetat e kohës shkruanin shpesh. Ishte një mënyrë për të nxitur punën vullnetare, d.m.th. pa pagesë?

Aksionet nuk ishin vetëm çështje ekonomike, por edhe shoqërore. Në ato aksione për të cilat ju keni dëgjuar të flitet, jo vetëm janë kryer vepra shumë të rëndësishme për vendin, jo vetëm janë mobilizuar shumë njerëz, por edhe kemi shpëtuar shumë njerëz.

Nuk po flas për vlerën ekonomike, por po ndalem vetëm në aspektin social. Kishte raste, sidomos në Shkodër, kur familjet kanë qenë shumë të mbyllura. Për të rinjtë e ardhur nga këto familje, sidomos vajzat, aksionet ishin një mënyrë për të jetuar në një liri më të madhe. Por mundoheshim të ishim shumë të kujdesshëm. Në rast se shikonim raste që kishte ndjenja mes të rinjve, ndërhynim pranë familjeve që të lidheshin në martesë, edhe pse familjet mund të ishin kundër. Por kishim edhe nga ato raste që dashuria e të rinjve nuk i bindte familjarët dhe ne mundoheshim që çiftin e ri ta dërgonim në vende të tjera. P.sh. kemi dërguar disa çifte të tilla në Ksamil. Shumica nuk pranuan të ktheheshin më në Shkodër edhe pas vitit 1990. Por kishte edhe raste kur historitë përfundonin keq. Mbaj mend 4-5 të tilla që vajzat kishin mbetur shtatzënë dhe djali nuk donte të martohej. I kemi marrë gjoja për kurse rrobaqepësie, kuzhine apo diçka tjetër dhe i kemi dërguar në Korçë, ku nuk i njihte njeri. Atje kanë lindur, e kemi sistemuar foshnjën në Shtëpinë e Fëmijës dhe pastaj vinte sërish në Shkodër pa e marrë vesh njeri dramën e tyre.

Ne ishim të bindur edhe në rastin e adoleshentëve me prirje kriminale, që puna do t’i sillte në rrugë të mbarë. Në shkollën e vagabondëve, siç quhej atëherë, mësonin zanat dhe ka shumë prej tyre që janë bërë specialistë të shkëlqyer dhe kanë jetuar me ndershmëri.