Transmetuar më 10-04-2021, 10:24

Ka nisur goditja e rasteve për shit-blerjen e votave.

Në Pukë është arrestuar një person si dhe është nën hetim një tjetër.

Raportohet se, teksa premtonin para për votën, ra në pranga sekseri, si nën hetim është vënë drejtuesi i një subjekti politik.

Policia si provë ka sekuestruar një sasi parash dhe një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve.

Njoftimi i plotë i policisë

Hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës, vihet në pranga sekseri.

Procedohet penalisht drejtuesi i një subjekti politik.

Sekuestrohen një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore pecialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje".

Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.

Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit,  si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim".

/a.m/NOA.al