Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesat e prokurorisë për 3 kontrollorët e trafikut ajror të akuzuar për shpërdorim detyre pasi akuzohen nga prokuroria si nxitës për bllokimin e fluturimeve në aeroportin e Rinasit.
Flora Ndreca është lënë në arrest shtëpie ndërsa dy të tjerët, Muhin Mezini dhe Armando Fezga janë lënë në burg.
Seanca u zhvillua sot në Gjykatën e Tiranës ndaj tre kontrolloreve Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini.
Prokuroria e Tiranës dërgoi pasditen e djeshme në gjykatë kërkesën ndaj tre kontrollorëve.
Mësohet se ndaj Flora Ndrecës organi i akuzës ka kërkuar masën arrest shtëpie, ndërsa për dy të tjerët masën “arrest me burg”.
Prokuroria ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës kryer në bashkëpunim.
Si provë ndaj kontrollorëve për akuzat e ngritura, prokuroria ka mesazhet ‘whatsupp’.
Kërkesa u shqyrtua nga gjyqtari Arben Mica. Çështjen e ndoqën prokurorët Marjeta Zaimi dhe Lidina Riza.
/a.m/NOA.al