Transmetuar më 09-04-2021, 16:55

Ambasada e Rusisë në Tiranë ka njoftuar shtetasit e saj se Shqipëria ka vendosur të heqë vizat për ta për sezonin turistik. Nga data 1 prill deri në 31 dhjetor 2021 cdo rus mund të vijë dhe të qëndrojë në Shqipëri 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.

“Hiqen viza për turistët rusë. Është miratuar Vendimi i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë Nr. 214, dt. 25 Mars 2021, për heqjen e vizave për shtetasit e disa vendeve, përfshirë këtu edhe Rusinë, për periudhën 1 prill – 31 dhjetor 2021.

Afati i lejuar i qëndrimit në vend është 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, duke filluar nga data e hyrjes” thotë ambasada.

Kryeministri Rama deklaroi mbrëmë në “Log.” në ABC se në muajt e verës në Shqipëri pritet të ketë një fluks të lartë turistësh nga shumë vende. “Ka një kërkesë shumë të rritur nga Izraeli. Ka shumë kërkesa nga Ukraina, Polonia, Çekia, Hungaria, Suedia.

Sapo kemi lidhur një marrëveshje për fluturimet e North Wingut që sjell gjithë botën ruso-folëse kudo” tha ai.