Transmetuar më 08-04-2021, 16:09

Autoritetet kanë dokuemntuar veprimtarinë kriminale të një grupi që prodhonte dhe shidte drogë në Korçë dhe Fier.

Policia thotë se në të trija fazat e operacionit “finish” janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 12 shtetas.

Katër të arrestuarit e fundit janë:

Arben Pilinci, 49 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër jetës, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, organizimit të lotarive të palejuara dhe armëmbajtjes pa leje), në rolin e organizatorit të grupit;

Orlin Pilinci, 31 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”), në rolin e organizatorit të grupit;

Eraldo Muçelli, 32 vjeç, banues në fshatin Vreshtas, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”);

Kudret Hasanbashaj, 35 vjeç, banues në Ballsh, Mallakastër (i dënuar më parë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”):

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit:

Todor Beba, 47 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), në rolin e organizatorit të grupit, njëri prej të arrestuarve gjatë operacionit “Domosdova” në Elbasan, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Detyrim paraqitjeje” të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në “Arrest në burg”;

Shkëlqim Goga, 40 vjeç, banues në fshatin Ngjegjan, Roskovec, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

“Si rezultat i një pune intensive hetimore dhe provave të grumbulluara u bë e mundur që të dokumentohej me prova ligjore, bashkëpunimi i këtyre shtetasve me personat e arrestuar më parë nga Policia, konkretisht më datë 04.06.2020, në Elbasan, me operacionin e koduar “Domosdova”, por edhe hetimeve të mëtejshme të kryera në vijim të tij, si rezultat i të cilit u vunë në pranga 5 shtetas, midis tyre edhe shtetasi T. B., si dhe u sekuestruan 28.5 kg kanabis”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu edhe lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 19.12.2020, në Korçë, ku në afërsi të Qafë-Plloçës, u kapën 2 shtetas të tjerë, duke transportuar me mjet, 4 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Nga gjithë hetimi i kryer është provuar se shtetasit A. P., O. P., T. B. dhe E. M., në rolin e organizatorëve dhe njëkohësisht pritës të lëndës narkotike, nëpërmjet lidhjeve të tyre shoqërore në qarkun e Fierit, me shtetasit G. G., E. M. dhe R. M., siguronin lëndën narkotike dhe nëpërmjet shtetasve të tjerë bashkëpunëtorë, si Y. S., I. D. dhe P. Sh., në rolin e transportuesve, lëndën narkotike të sekuestruar duhet ta sillnin në rrethin e Korçës për llogari të A. P., O. P., T. B. dhe E. M. Gjithashtu gjatë hetimit është provuar se posedues të lëndës narkotike në qarkun e Fierit kanë qenë shtetasit Sh. G. dhe K. H.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme. /k.k/noa.al/