Shqiptari humb jetën aksidentalisht, miqtë i mbledhin 11 mijë euro për të kthyer trupin e pajetë në atdhe
Transmetuar më 08-04-2021, 14:38

Një 43 vjeçar nga Kosova ka humbur aksidentalisht jetën, teksa po punonte.

Emri i tij është Bekim Kunushevci, 43 vjeç,  i cili për 20 vjet jetonte dhe punonte në Itali ku kishte shkuar si emigrant prej kohës së luftës.

Ai banonte në Anghiari me gruan dhe dy fëmijët e tij (të moshës 10 dhe 8 vjeç). Më 27 mars në Città di Castello një aksident shumë i rëndë në punë i kushtoi vdekjen, sipas “TV Tevere”.

Ai  merrej me punë ndërtimi brenda një apartamenti. Teksa ndodhej në një shkallë, papritmas rrëshqiti dhe goditi kokën me në cep të shtratit. Menjëherë ai u transportua në spitalin Tifernate, më pas në Santa Maria della Misericordia në Perugia, ku edhe vdiq më 30 mars.

Prokuroria Publike e Perugias ka hapur një dosje për vrasje pa dashje duke regjistruar dy përfaqësuesit e ndërmarrjes ndërtimore. Për më tepër, si pjesë e hetimeve, u kërkua marrja e të dhënave mjekësore të spitaleve (të Città di Castello dhe Perugia).

Anëtarët e familjes së 43-vjeçarit mbrohen nga avokatët Emanuela Splendorini dhe Mirco Meozzi. Pasi u krye një autopsi dhe më 7 prill, prokurori publik Massimo Casucci, i cili koordinoi hetimet, lëshoi autorizimin për t’i dhënë lamtumirën e fundit 43-vjeçarit.

Trupi i pajetë i shqiptarit i cili humbi jetën në Itali, do të kthehet për varrim në Kosovë falë një solidariteti të bashkëkombasve që jetojnë në Itali dhe Ballkan.

Komuniteti kosovar, shqiptar dhe maqedonas që jetonte në Valtiberina, i ndihmuar nga disa italianë, organizoi një mbledhje fondesh për të mundësuar që trupi i pajetë i Kunushevcit të kthehej në atdhe.

Falë këtij organizimi u mblodhën 11,000 euro të cilat do të përdoren për t’i paguar shpenzimet. Ajo që mbetet do t’i dhurohet gruas dhe fëmijëve.

/a.m/NOA.al