Rivaliteti, Sergio Ramos: Sa do kishte fituar Reali të mos kishte qenë Leo Messi!
Transmetuar më 08-04-2021, 13:21

Kapiteni i Real Madrid është i bindur se nëse nuk do të ishte për Leo Messin, atëherë skuadra e tij do të kishte ngritur më shumë trofe. “Legjenda e Sergio Ramos”, kështu quhet seriali që pritet të publikohet së shpejti, që Marca ka zbardhur pjesëza të saj.

Ramos, në epokën e Messit, me Realin i është gëzuar pesë herë titullit kampion, triumfit në Champions 4 herë dhe 2 herë në Kupën e Mbretit.“Ne e kemi vuajtur faktin që Barcelona kishte Messin.

Nëse nuk do ta kishte dhe ne nuk do ta kishim kundër, mendoj se do të kishim fituar më shumë tituj. Ishte një periudhë kur ne e matëm veten kundër Barcelonës më të mirë në histori. Ne kishim një trajner të shkëlqyeshëm si Mourinho, por ishte e vështirë për ne të përballeshim me ta.

Ne nuk fituam shumë dhe kjo ndodhi edhe për faktin se kishte shumë tension të krijuar nga ne vetë ose nga ata. Të gjithë mendoj se kemi bërë gabime”, është shprehur Ramos mes të tjerash, ndërkohë që rivalitetin Barça-Real ai e ka konsideruar një faktor edhe për sukseset e Spanjës në arenën ndërkombëtare.