Transmetuar më 08-04-2021, 09:26

Policia e Durrësit njofton se ka proceduar penalisht dy të mitur, për shkak se bënin vjedhje të shumta në qytet.

Sipas policisë, gjithashtu kanë rënë në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bien në prangat e Policisë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim.

Zbardhen dhe dokumentohen 4 vjedhje në qytetin e Durrësit, procedohen penalisht 2 shtetas të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan shtetasin R. S., 32 vjeç, banues në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 1 vit e 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestuan në flagrancë shtetasit:

H., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, duke vjedhur disa pajisje në vagona treni;

S.P., 53 vjeçe, pasi në lagjen nr. 1, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).

Në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës proceduan penalisht shtetasit e mitur E. S., 17 vjeç dhe K. R., 15 vjeç, banues në Tiranë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë vjedhur sende të ndryshme në subjekte të ndryshme në pronësi të shtetasve K. Sh., F. L., R. D., A. Gj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./K.B/NOA.al