Transmetuar më 08-04-2021, 08:17

Ka shkuar në 25 numri i personave që janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar nga dita e djeshme në aeroportin e Rinasit. Pas kallëzimit që Albcontrol të bërë ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas që mendohet se nxitën bllokimin e punës në Rinas, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet, ndërsa policia ka shoqëruar kontrollorët.

Një ngjarje e paprecentë, e para në historinë e aviacionit civil në Shqipëri ndodhi ditën e djeshme. Aeroporti më i rëndësishëm në vend, ‘Nënë Tereza’ ka anuluar të gjitha fluturimet për një kohë të pacaktuar. Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në AlbControl kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet në Aeroportin e Rinasit.

Për këtë ngjarje të rëndë pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti që ka prapavijë politike dhe se është i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Më herët vetë Rama u bëri thirrje kontrollorëve që të ndahen nga organizatorët  e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe t’i rikthen punës.

Kujtojmë se dje Mnistrja Balluku tha se organizatorët janë kallëzuar në prokurori dhe se qeveria ka një plan për rifillimin e fluturimeve shumë shpejt. Janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë  kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën.

Në lidhje me çështjen edhe presidenti Ilir Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa u bëri thirrje qeverisë, institucioneve dhe ambasadorëve në vendin tonë që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione./S.H /NOA.al