Transmetuar më 07-04-2021, 18:28

Për herë të parë që nga nisja e pandemisë, Tirana regjistroi 24 orët e fundit më pak persona të infektuar se rrethet e tjera të vendit.

Ndër 2538 testime të kryera dje (00.00 deri 24.00), kanë rezultuar pozitivë 256 qytetarë. Më shumë të infektuar kanë pasur Shkodra, 31 raste dhe Korça 29 të infektuar.

Pas tyre vjen Tirana me 28 raste. Rastet e tjera u identifikuan si në vijim: 19 raste në Fier, Berat, 15 raste në Durrës, 10 raste në Elbasan, Gjirokastër, 9 raste në Vlorë, 8 raste në Devoll, 7 raste në Krujë, 6 raste në Lushnje, Pogradec, Ura Vajgurore, 5 raste në Kukës, Patos, 4 raste në Tepelenë, Peqin, Skrapar, 3 raste në Tropojë, Delvinë, Malësi e Madhe, Prrenjas, 2 raste në Lezhë, Mirditë, Mallakastër, Vau i Dejës, Dibër, 1 rast në Kurbin, Kavajë, Mat, Sarandë, Fushë Arrëz, Selenicë, Kolonjë, Finiq, Poliçan.

Ndërkohë situata në spitale duket e qëndrueshme. Në 4 spitalet Covid në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 256 pacientë.

Por shqetësim përbën fakti se janë shtuar rastet e rënda. Ndërsa pardje ishin vetëm 10 në reanimacion, sot raportohet për 18 të sëmurë në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Ajo që shqetëson po ashtu është se vdekjet po vijnë jo vetëm nga personat e intubuar, por edhe nga të sëmurët e tjerë. Kjo shpjegon dhe numrin ditor të vdekjeve, më të lartë se atyre të intubuar.

Në 24 orët e fundit vdiqën 8 qytetarë me Covid-19, të moshës 67 deri 84 vjeç. Ata ishin 2 qytetarë nga Durrësi dhe nga një person nga Tirana, Vlora, Përmeti, Kolonja, Shkodra dhe Gramshi.

Nga ana tjetër, numri i të shëruarve është më i lartë se i të sëmurëve aktivë. Ndër 127 192 njerëz të infektuar që kanë dalë nga 577 mijë tamponë dhe teste të shpejta, raste të shëruara janë 95,600. Kurse raste aktive 29,301. Ndërsa ka shkuar në 2291 numri i të vdekurve në spitalet shtetërore.

Edhe pse orët e fundit Tirana kishte më pak të infektuar, sërish ajo ka numrin më të madh të atyre ende aktivë, 20 738.

Më tej renditen 11 qarqet e tjera:

Fier 2560 Durrës 1226 Gjirokastër 1224 Shkodër 1030 Vlorë 721 Korçë 729 Kukës 345 Dibër 338 Elbasan 246 Lezhë 103 Berat 41