Kujton 7 Prillin e 1939, Meta: Ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste
Transmetuar më 07-04-2021, 16:38

Me rastin e 7 prillit 1939, Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi sot, me anë të një ceremonie solemne dy figura të shquara atdhetare, të cilët luftuan heroikisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” u dekoruan (pas vdekjes) nga Kreu i Shtetit shqiptar Isak Metalia “Për heroizmin e pashoq treguar në ditën e pushtimit fashist të vendit; për rezistencën dhe udhëheqjen e grupit drejt sakrificës sublime, në mbrojtje të lirisë së vendit, duke u bërë njëri nga heronjtë e parë të Luftës së Dytë Botërore.”;

si dhe Xhevdet Ballanca (pas vdekjes) “Për kontributin e çmuar, dhënë në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për çlirimin e vendit nga okupatorët, si dhe për merita të veçanta si ushtarak karriere e drejtues me vizion në Forcat e Kufirit.”.

Ndërsa historiani zoti Sali Hidri u vlerësua me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhënë në fushën shkencore dhe arkeologjike, si dhe kumtesat, botimet e paraqitjet dinjitoze të mbajtura dhe përkthyera në akademitë prestigjioze, jashtë vendit.”

Në fjalën e tij, Presidenti Meta deklaroi sot se 7 prilli 1939, është një ditë e zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.

Mesazhi i Presidentit:

Sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.

Dëshmorët, që ranë në këtë ditë, ishin edhe frymëzuesit e Rezistencës së shkëlqyer të mëpasshme, që mobilizoi popullin deri në Çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944.

Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të lirisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, si shembull i patriotizmit e atdhedashurisë, pata sot nderin të vlerësoj Heroin Isak Metalia me “Dekoratën e artë të shqiponjës”.

E paharruar do të jetë deklarata e tij para se të jepte jetën: “Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë".

Gjithashtu, për kontributin madhor si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj vlerësova sot edhe Xhevdet Ballancën, luftëtarin aktiv antifashist dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, të zgjedhur nga Konferenca e Pezës.

Me rastin e përkujtimit të 7 prillit 1939, pata kënaqësinë të vlerësoj edhe Doktorin e Shkencave, historianin e shkrimtarin e njohur Sali Hidri, i cili ka organizuar vit pas viti aktivitete të ndryshme në nderim të Dëshmorëve të rezistencës të kësaj date.

Çdo kohë dhe periudhë historike ka Heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur e do të rritë gjithmonë Heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi.

Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me patriotizëm dhe dashurinë për Atdheun./K.B/NOA.al