Protesta/ Punonjësit bojkotojnë punën, bllokohen të gjitha fluturimet nga Rinasi (Afati)
Transmetuar më 07-04-2021, 12:50

Deri më 8 prill në ora 10:00 bllokohet të gjitha fluturimet nga aeroporti i Rinasit.  Njoftimi është bërë publik nga ICAO, Autoriteti Ndërkombëtar i Fluturimeve. Fluturimet për ditën e sotme janë pezulluar, pas protestës së punonjësve në Rinas.

Vendimi vjen pas protestës së nisur në Rinas, ku fillimisht pati disa vonesa me fluturimet.

Kontrollorët e AlbControl në Rinas nuk pranuan kërkesat e ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ata kërkuan që të rikthehen në punë punonjësit e pushuar nga puna prej pandemisë si dhe rishikimin e pagave, pas uljeve prej krizës që shkaktoi pandemia.

Madje bëhet e ditur se protesta e tyre, nëse nuk merr zgjidhje deri nesër nga autoritetet, do të zgjatet pa afat.

Megjithatë, pavarësisht se nuk u arrit një marrëveshja pas takimit me ministren për kërkesat e tyre, kontrollorëve u është kërkuar nga ministrja që puna të mos bojkotohej prej tyre.

Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh, ndërsa është marrë edhe vendimi për bllokimin e fluturimeve nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit tonë.

Kujtojmë se punonjësit pezulluan punën dhe janë rikthyer në zyrat e tyre ku pritën ministren Balluku për të diskutuar për kërkesat e tyre.

Kujtojmë se 65 kontrollorët kishin disa kërkesa që i negociuan, ndërkohë që prej mungesës sot në punë për rreth 30 minuta ndikuan drejtpërdrejt në vonesën e dy fluturimeve Athinë-Tiranë dhe Stamboll-Tiranë.

Vitin e kaluar bordi i AlbControl i uli pagat me 62%, ndërsa kontollorët kanë firmosur kontratën e paaftësisë në punë edhe për shkak të stresit ndaj pandemisë, por as kjo nuk është marrë parasysh nga drejtuesit.

/a.m/NOA.al