Transmetuar më 06-04-2021, 21:58

Kryeministri Edi Rama sulmoi sërish sonte demokratët në opozitë duke i akuzuar për shmangie distancimi fizik në aktivitetet elektorale.

Rama tha sonte në një qëndrim që publikoi në rrjete sociale se vaksimi masiv cënohet pa distancimin, që duhet të shkojë paralelisht dhe se këto vatra të nxehta infektimi për motive të ulta politike, rrezikojnë ta godasin pas shpine Shqipërinë, teksa po i afrohemi çdo ditë daljes nga tuneli i pandemisë!

Në vijim Rama u ndal te ajo që po ndodh në rajon: "Kosova po e paguan shtrenjtë fushatën elektorale me njerëzit ngjitur njëri pas tjetrit dhe rreziku i rimbylljes është rishfaqur.

Malit të Zi fushata i kushtoi një rritje masive infektimesh, plagosjesh e humbje të jetëve.

Maqedonia e Veriut po shkon drejt rimbylljes për mungesë vaksinash dhe ndërkohë vende të tjera më të mëdha po vuajnë shtrëngimet, teksa vazhdojnë vaksinimin që për shkak të numrave të mëdhenj nuk po jep ende efektin e vet!"

Në këtë pikë Rama thotë se shumëkush e relativizon dëmin e madh shëndetësor që po mbjellin këto mitingje të papërgjegjshme dhe thekson: "Disa më shajnë e i përqeshin këto postime të miat, të tjerë flasin përçart për uragane imagjinare apo braktisje të Partisë Socialiste nga populli, por unë do të këmbëngul deri në fund: Këto mitingje janë turp i madh, papërgjegjshmëri dhe mungesë karakteri e lidershipit opozitar! Janë fytyra e vjetër e antishtetit dhe e rrumpallës antiqytetare të PD-së! Po mbi të gjitha janë rrezik shumë i madh për shëndetin e njerëzve dhe sabotim i hapur i luftës sonë kombëtare kundër Armikut të Padukshëm!

Ky armik nuk pyet për parti e për politikë, godet ku të mundet dhe teksa ne po vaksinojmë pa i ndarë shqiptarët, duke luftuar çdo ditë për ta e me ta si një trup i vetëm, unë ju bëj thirrje të gjithëve:

Politika le të na ndajë, po lufta për jetën, shëndetin dhe Shqipërinë përballë virusit vrastar duhet medoemos të na bashkojë!", përfundon deklarata e Ramës teksa ilustron me foto sot të PS në Korçë dhe PD në Tiranë.