Transmetuar më 06-04-2021, 10:32

Vijon vaksinimi kundër COVID-19 dhe në qarkun e Korçës. Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar procesin teksa ka deklaruar për mediat se brenda javës do të nisë vaksinimi i moshave +65.

“Edhe në Korçë si kudo jo vetëm në qendrat e vaksinimit por në çdo qendër shëndetësore të Republikës së Shqipërisë, vijon intensivisht vaksinimi, është një lehtësim i madh për njerëzit që vaksinohen, është ndjenjë shumë e fortë nderi për ne që bëjmë çmos kur shohim gjithë këta gjyshër e gjyshe që buzëqeshin. Do shkojmë menjëherë te +65 dhe kjo gjë do të fillojë brenda javës, kështu që ata që janë gati 70 dhe 60+ të përdorin portalin e-albania dhe njëkohësisht do lajmërohen mjekët e familjes.

Sistemi po funksionon realisht sahat, ritmi është shumë i lartë do ta mbajmë këtë ritëm me doemos sepse sa më shumë të vaksinojmë aq më shpejt do të dalim nga ky tunel duke këputur masivisht hallkat e zinxhirit të infektimeve.

E përsëris që vaksinimi masiv ka të domosdoshëm dhe distancimin që do të thotë që ne duhet të bëjmë të gjithë detyrën tonë pasi nëse nuk mbajmë distancë aq më tepër grumbullohemi siç po ndodh përditë në vatrat covid të fushatës elektorale të palës tjetër vonojnë procesin dhe biem në të njëjtin kurth ku ranë vendet e tjera”, deklaroi Rama.

Sa i përket deklaratave nga opozita se nga procesi i vaksinimit ka edhe viktima, Rama tha se sa herë mbi shqiptarët bie një fatkeqësi Lulzimi dhe të tjerët janë me fatkeqësinë, jo me shqiptarët.

“Çfarë mund të komentoj unë për këtë kjo është thjesht një e re që është shumë e vjetër, sepse ne kemi parë që sa herë mbi shqiptarët bie fatkeqësi Lulëzimi dhe të tjerët janë me fatkeqësinë dhe jo me shqiptarët.

Ka një përmbytje janë me përmbytjen, ka një tërmet janë me tërmetin, ka një virus janë me virusin arrihet deri këtu sa të flitet për vdekjet e shkaktuara nga vaksinat pas asnjë lloj arsyetimi për të përhapur panik, këngë e përditshme nga Saliu prej të cilit Luli varet kokë e këmbë.

Këta janë ata, vaksina nuk mbron nga sëmundjet e tjera, vaksina nuk është një ilaç magjik që parandalon humbjen e jetës për shkak të sëmundjeve të tjera dhe vaksina vetë nuk është shkaktare e humbjes së jetës, histori e konfirmuar kudo.

U bë gjithë ajo zhurmë por asgjë nuk ka, ja ku jemi sot, vaksinimi me Astra Zenekën vazhdon kudo, ne vazhdojmë vaksinojmë ata infektojnë, sensibilizojmë për distancim ata vazhdojnë sensibilizojnë për mosvaksinimin që do të jetë vula që do t’i mbetet kësaj fushate mizerabël me vatra Covid kudo ku shkel”, tha Rama.

Ministrja Manastirliu deklaroi se procesi po ecën me hapa shumë të mirë dhe se në Qarkun Korçë janë kryer 16 mijë vaksinime, 10 mijë vetëm në bashkinë Korçë.

“Në rang vendi 150 mijë të vaksinuar të moshuar. Të gjithë të moshuarit njoftohen nga mjekët e familjes sipas kalendarit. Kemi krijuar një procedurë të re për të gjithë 70+ mund të vaksinohen duke paraqitur kartën ID. Portali e-Albania është në dispozicion për ata që kërkojnë të vaksinohen. Do të vijojmë edhe me sasinë Pfizer të mbërritura dje dhe do vijojmë me rritjen e dozave në vazhdim”, tha Manastirliu./K.B/NOA.al