Transmetuar më 06-04-2021, 09:56

Të tjera detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e Bardhok Pllanaj në Shkodër.

po analizohen nga laboratori shkencor provat materiale të sekuestruara në këtë ngjarje.

Sipas burimeve, nga hetimet e deritanishme rezulton se mjeti i përdorur nga autorët “Passat”, me targë FV140MT, është i vjedhur.

Në brendësi të tij policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri automatike model 56; 4 krehër dhe 18 gëzhoja, ndërsa në vendin e ngjarjes u gjetën 80 gëzhoja.

Armët e zjarrit ishin me numër serial të rregullt dhe po analizohen për të parë nëse rezultojnë të regjistruar më herët apo janë përdorur në ngjarje kriminale.

Ndërsa në automjetin “Range Rover”, me targë AA531ZY, të viktimës Bardhok Pllanaj policia sekuestroi 2 aparate celulare, të cilat do të zbërthehen për të parë komunikimet e fundit të viktimës, pasi nuk përjashtohet mundësia që ta kenë nxjerrë në pritë.

Dyshohet se autorët e kanë gjurmuar viktimën para vrasjes, kanë ndjekur lëvizjet e tij, si dhe kanë reaguar në momentin kur ai ka qenë vetëm në makinë.

Para ngjarjes viktima së bashku me bashkëshorten ka qenë në Shkodër, pranë spitalit për të vizituar një të afërm. Më pas, janë kthyer në shtëpi. Pasi ka lënë të shoqen, ka dalë nga banesa dhe pak metra më tej është qëlluar për vdekje.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti 80 gëzhoja./K.B/NOA.al