Meta apel qytetarëve: Mos lejoni t’ju cenojnë të drejtën e votës
Transmetuar më 05-04-2021, 14:51

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka bërë sërish thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhje.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së zhvilluar me personalitete të artit, kulturës dhe traditave të Krujës, Meta theksoi se pandemia nuk mund ta pengojë edhe për shumë gjatë pranverën turistike.

Më tej ai u shpreh se qytetarët duhet të votojnë kandidatët që ata mendojnë se do t’i japin zgjidhje problemeve të tyre.

“Pandemia nuk mund ta pengojë gjatë pranverën turistike dhe jetën ekonomike kulturore të krutanëve dhe të shqiptarëve!

Njëkohësisht, në këto ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, ju ftoj të gjithëve, që sipas bindjeve tuaja të merrni pjesë aktive, të mos lejoni cenimin e të drejtës suaj nga askush për të votuar të lirë dhe me dinjitet! Të zgjidhni me ndërgjegje bijtë dhe bijat tuaja më të mirë!

Të votoni ata kandidatë, që ju mendoni se do t’ju japin zgjidhjet më të mira për hallet tuaja dhe që ta bëjnë Krujën një vend edhe më të dashur për të jetuar për ju, për të rinjtë, edhe për fëmijët tuaj, por edhe një vend më të vizituar nga të gjithë shqiptarët dhe nga turistët në të ardhmen!

Ju falënderoj për të gjithë kontributin tuaj për ruajtjen e traditave sepse është shumë e rëndësishme që ta forcojmë identitetin tonë kombëtar dhe të integrohemi në Europë si krutanë dhe si shqiptarë”, tha Meta./K.B/NOA.al