Transmetuar më 01-04-2021, 14:22

Mjeku Erion Dasho i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, që të pezullojë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac, për shkak të dy vdekjeve të papritura që e kanë kryer vaksinën.

Ai thotë se njërin prej rasteve e ka investiguar personalisht, kësisoj i rekomandon Ministrisë dhe Komitetit të Covid dhe Imunizimit që të pezullojnë vaksinimet derisa vdekjet të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.

Kërkesa e tij vjen pasi javët e fundit në Shqipëri ka nisur imunizimi masiv me vaksinën kineze Sinovac (e njohur ndryshe si CoronaVac).

E plotë nga Erion Dasho:

REKOMANDIM DREJTUAR MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE ÇËSHTJEVE SOCIALE!

Për shkak të të paktën dy vdekjeve të papritura midis personave që kanë kryer vaksinën CoronaVac (një prej të cilave rast i investiguar personalisht që humbi jetën një ditë pas vaksinimit), i rekomandoj Ministrisë së Shëndetësisë, Komitetit të COVID dhe Komitetit të Imunizimit të pezullojnë përkohësisht fushatën e imunizimit me CoronaVac deri sa këto vdekje të investigohen dhe të provohen si të palidhura me vaksinën në fjalë.

Kjo thirrje nuk ka aspak qëllim të ngjallë panik dhe të dëmtojë një proces të dobishëm siç është imunizimi ndaj COVID. Thjesht është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare të farmakovigjilencës.

Dy humbje jete midis rreth 50 mijë të vaksinuarve është një tregues që kërkon kujdes të jashtëzakonshëm!

Mbetem i hapur për të komunikuar me përfaqësues të ministrisë dhe komitetit lidhur me rastin që kam investiguar personalisht.

/a.m/NOA.al