NOA DOSSIER/ 50 fakte që duhet të dini për marsin e tmerrshëm ’97
Transmetuar më 31-03-2021, 15:16

BILANCI/Mbi 1555 të vrarë dhe 10 mijë të plagosur, 20 miliardë lekë të rinj dëme. 650 mijë copë armë dhe 2 miliardë copë municione të grabitura. Dosja “Mars 1997” në 50 fakte dhe shifra

Nga Roland Qafoku

Të paktën 830 milionë dollarë borxh që firmat rentiere ua kishin kreditorëve,  u zhdukën, 20 miliardë lekë të rinj ishin dëme nga shkatërrimet e institucioneve të shtetit, dhe 650.550 copë armë bashkë me 2 miliardë copë fishekë u grabitën nga depot ushtarake. Por shifra më e frikshme është 1555 të vrarë dhe 10 mijë të plagosur.

Një bilanc të tillë dëmesh si ato të trazirave të marsit 1997, Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë.

Vendi ynë nuk është dëmtuar kurrë kaq shumë në një periudhë kaq të shkurtër kohore as gjatë Luftës së Parë Botërore e as gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por rënia e skemave piramidale në fillim të viti 1997 solli një rebelim të armatosur që për forcat e majta ishte revoltë popullore dhe për forcat e djathta ishte rrëzim me armë dhe marrja po me armë e pushtetit.

Por ç’ndodhi në realitet gjatë trazirave të marsit? Noa.al ju sjell 50 fakte me shifra të përmbledhura lidhur me atë që quhet “Dosja e marsit 1997”.

Ministri i Mbrojtjes në detyrë në atë kohë ishte Safet Zhulali. Ministri që një vit më vonë u arrestua me akuzën e krimeve kundër njerëzimit për ngjarjet e vitit 1997 tha: “Çdo tentativë për të hapur “Dosjen e zezë mars 1997” nuk bën gjë tjetër veç hapjes së një dosjeje të re”.

1.Trazirat e marsit të vitit 1997, është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar që nga shpallja e pavarësisë deri më sot.

2.Nga protestat për rënien e skemave piramidale, rebelimi i armatosur, shkatërrimi i institucioneve dhe grabitja e pasurisë shtetërore dhe private solli rënien e shtetit shqiptar ku asnjë institucion nuk funksionoi për javë e muaj të tërë.

3.Nga rebelimi u grabitën dhe boshatisën pothuajse të gjitha repartet ushtarake dhe për herë të dytë në historinë e shtetit pas 7 prillit 1939, Shqipëria nuk kishte ushtri.

4.Nga rebelimi u hapën të gjithë burgjet në të gjithë territorin e vendit dhe dolën prej tyre rreth 5 mijë të burgosur.

5.Mes tyre dolën nga burgjet edhe të gjithë politikanët dhe autoritetet e larta shtetërore dhe partiake që ishin burgosur si Fatos Nano kryetari i PS dhe Ramiz Alia ish-president i Republikës.

6.Shkatërrimet e bëra në institucionet e shtetit gjatë trazirave të marsit 1997 kapin shifrën 20 miliardë lekë të rinj dëme.

7.I vetmi institucion dhe objekt i rëndësisë së veçantë që nuk u cënua por u mbrojt nga efektivi i policisë ishte Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit. Rreth 100 policë dhe oficerë drejtues, nën drejtimin e shefit të policisë Kapllan Xhangolli e mbrojtën me armë këtë institucion pa lëvizur andej me ditë të tëra. Nga luftimet e zhvilluara atje me bandat kriminale u plagosën dy policë.

8.Nga hapja e të gjitha depove të ushtrisë u morën 650.550 mijë copë armë luftarake të të gjitha llojeve që nisin nga pushka, automatiku, armët kundërajrore e deri te tanket si dhe 2 miliardë copë municione që nisin nga fishekët, granatat e deri te predhat.

9.Nga të gjitha depot që kishte ushtria në atë kohë u hapën dhe u shkatërruan 1581 depo dhe nuk u hapën dhe dëmtuan 286 depo.

10.Vetëm në repartet ushtarake dhe institucionet e tjera të ministrisë së Mbrojtjes dëmi i shkaktuar ishte 61 miliardë e 465 milionë lekë të rinj.

11.Nga e gjithë trazirat dhe rebelimi u shkaktuan 1555 të vrarë dhe rreth 10 mijë të plagosur, ushtarakë, policë dhe civilë gjatë përplasjeve me armë dhe nga plumbat qorr.

12.Pas rënies së shtetit një pjesë e zyrtarëve të lartë të shtetit u larguan nga Shqipëria: si kryetari i SHIK Bashkim Gazidede në Siri, ministri i Brendshëm i qeverisë së Pajtimit Kombëtar Belul Çelo në SHBA, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Agim Shehu në Gjermani, komandanti i Gardës së Republikës Xhahid Xhaferri në Angli dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Adem Çopani në SHBA.

13.Nga rënia e skemave piramidale rezultoi se borxhi total që firmat piramidale u kishin kreditorëve ishte 830 milionë dollarë.

14.Një vit më parë presidenti në detyrë Sali Berisha kishte deklaruar në një konferencë për shtyp: Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë”. Kjo kishte sjellë perceptimin se firmat rentiere po i lejonte dhe mbronte vetë shteti.

15.Më 1 mars 1997 kryeministri Aleksandër Meksi dha dorëheqjen për të ulur tensione dhe për të qetësuar situatën.

16.Në momentin e dorëheqjes së kryeministrit Aleksandër Meksi në të gjitha bankat kishte 137 milionë dollarë të firmave piramidale, por vetëm në muajin qershor shifra shkoi zero.

17.Kryetari i SHIK Bashkim Gazidede ka deklaruar se 70 për qind e firmave piramidale kishin të punësuar ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit.

18.Në një fjalim në parlament Bashkim Gazidede tha se firmat rentiere dhe rebelimi ishin pjesë e skenarëve të shërbimeve sekrete greke dhe amerikane.

19.Më 2 mars 1997 Kuvendi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në të cilin përfshihej edhe ndalim qarkullimi nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes. Disa viktima sidomos në Tiranë janë shkaktuar nga policia që I ka qëlluar për shkak të lëvizjes.

20.Më 2 mars 1997 kuvendi miratoi ligjin për bashkimin e shërbimit Sekret me ministrinë e Brendshme.

21.Kryetari i SHIK Bashkim Gazidede u emërua kryetar i operacionit për normalizimin e situatës.

22.Më 3 mars Kuvendi zgjodhi Sali Berishën për një mandat të dytë si president i Republikës.

23.Më 3 mars persona të panjohur pasi spërkatën muret me benzinë i vunë flakën dhe dogjën redaksinë e gazetës “Koha Jonë”.

24 Më 9 mars u nënshkrua marrëveshja mes të gjitha partive politike në vend në pushtet dhe qeveri e cila solli zgjidhjen e krizës politike.

25.Më 13 mars u miratua dhe u krijua qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër përfaqësuesin e PS Bashkim Fino, dikur kryetar të Bashkisë së Gjirokastrës.

26.Po më 13 mars 1997, u bë evakuimi i të gjithë të huajve që ishin në Shqipëri. Numrin më të madh e kishin italianët dhe amerikanët.

27.Më 27 mars Kuvendi miratoi amnistinë e përgjithshme nga e cila përfitonin 700 persona civilë dhe ushtarakë. Nuk përfituan vetëm ata persona që ishin dënuar apo në hetim për vrasje.

28.Më 27 mars në Levan të Fierit nga luftime mes një grupi të burgosurish që ishin liruar dhe një komuniteti rom u vranë 18 persona.

29.Më 28 mars 1997 ndodhi tragjedia më e madhe detare në historinë e Shqipërisë. Si pasojë e goditjes që anija ushtarake italiane “Sibilia” i bëri anijes “Kateri i Radës” të nisur nga Vlora me refugjatë solli mbytjen e saj dhe vdekjen e 57 personave.

30.Kryeprokurori i Antimafias italiane Pier Luiggi Vigna deklaroi gjatë një vizite në Shqipëri se mafia italiane kishte shtyllën e vetë në skemat piramidale në Shqipëri.

31.Për ngjarjet e vitit 1997 u ngrit një komision parlamentar me 11 anëtarë me kryetar Spartak Ngjelën si përfaqësues të opozitës.

32.Në komisionin hetimor për trazirat nuk mori pjesë Partia Demokratike. Në fund materiali iu dorëzua prokurorisë së Përgjithshme në formë denoncimi ndaj zyrtarëve të lartë të PD si shkaktarë dhe autorë të ngjarjeve të vitit 1997.

33.Hetimi i dytë është ai zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme me një grup të zgjeruar hetimor me afro 10 anëtarë.

34.Më 22 gusht 1998 me urdhër të prokurorisë u arrestuan 6 ish-funksionarë të lartë të PD: Safet Zhulali ish-ministër i Mbrojtjes; Halit Shamata, ish-ministër i Brendshëm, Bujar Rama ish-nënkryetar i SHIK, Blerim Çela ish-kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Kreshnik Luzha ish-drejtues i Njësisë Operacionale dhe Sokol Mulosmani shef i Komisariatit të Policisë në Vlorë.

35.Të gjashtë zyrtarët e lartë të vitit 1997 u akuzuan për krime kundër njerëzimit, akuza më e rëndë e bërë ndonjëherë në historinë e drejtësisë shqiptare.

36.Por pas një viti me negocimin edhe të OSBE procesi u pushua për mungesë provash dhe të gjashtë morën pafajësi.

37.Në fakt vetëm pak ditë pas arrestimit të të gjashtëve prokuroria firmosi urdhër ndalimi edhe për kryetarin e PD-së në detyrë Sali Berishën por një urdhër i tillë u anulua pas përplasjes politike, të revoltave dhe debatit që kryeministri Fatos Nano pati me krerët e prokurorisë së Përgjithshme.

38.Një proces tjetër i bujshëm ka qenë arrestimi dhe hetimi dhe gjykimi për 20 drejtues të firmave piramidale.

39.Gjykatat kanë dhënë rreth 500 vjet burg për të të gjithë të arrestuarit e firmave rentiere në Shqipëri.

40.Gjykatat dhanë këto vendime për bosët e firmave rentiere: Vehbi ALimucaj u dënua me 25 vjet, 20 vjet dhe 12 vjet burg, Shemsie Kadria me 17 vjet burg, Fitim Gërxhalliu me 11 vjet burg, Gani Kadria 10 vjet burg, Maksude Kadëna me 5 vjet burg, Bashkim Driza me 16 vjet burg, Ferdinand Kamberi 18 vjet burg, Mustafa Leka me 20 vjet burg dhe Lefter Cenaj 10 vjet burg.

41.Deklarata më e bujme për ngjarjet e viutit 1997 është e ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe Safet Zhulali i cili tha: “Çdo tentativë për të hapur “Dosjen e zezë” nuk bën gjë tjetër veçse hapjes së një dosjeje të re”.

42.Leni Fisher, Kryesuese e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës,në një intervistë për radion “Deutsche Welle” më 28 janar 1997 tha: “Unë e kuptoj, sa më i varfër është një vend, aq më shumë përpiqen njerëzit përmes çdo mjeti për të siguruar kushte më të mira jetese. Unë shpreh keqardhjen time të madhe për faktin që ministri i Jashtëm Tritan Shehu u ndodh nën breshërinë e gurëve kur u përpoq të futej mes demonstruesve”.

43.Rexhep Maidani Sekretar i PS-së, 20 shkurt 1997 tha: “Ne nuk kemi ndërmend të bindim Berishën, ai duhet të bindet nga keqësimi i gjendjes ekonomike. Ai duhet të bindet se nuk mund ta mbajë popullin me polici sepse do të vijë koha kur edhe ato 60 dollarë që merr një polic nuk mund t’ia japë më”.

44.Një deklaratë tjetër e bujshme është e deputetit të PD, Ylli Vejsiu firmosës i Marrëveshjes së 9 Marsit i cili tha: Unë e krahasoj veprimin e Berishës për nënshkrimin e marrëveshjes së 9 marsit me atë të mbretit Solomon në testamentin e vjetër. Para tij u paraqitën dy gra me një fëmijë që pretendonin të dyja se fëmija ishte i tyre. Atëherë Solomoni nxori shpatën dhe tha se për t’i kënaqur të dyja po e ndante fëmijën përgjysmë. Atëherë nëna e vërtetë tha që t’ia jepte asaj tjetrës, vetëm mos ta ndante më dysh”.

45.Sali Berisha, presidenti i Republikës për ngjarjet e viti 1997 ka thënë: “Socialistët i bënë fushatat elektorale me Bashkim Drizën. Ai ishte në çdo platformë gjatë fushatës. Dëmi i para 1997-s nuk ka lidhje me shtetin, ndërsa dëmi i pas 1997-s është i lidhur kryekëput me shtetin. Huamarrja e parave me interes lejohet gjithkund dhe kjo parashikohej edhe në Kodin e Punës”.

46.Sali Berisha, Ish-President, në një intervistë televizive në viti 2001 ka thënë: “Piramidat u ngritën me paratë e Arkanit”.

47.Fatos Nano, kryetar i PS në burg gjatë marsit 1997, më 21 korrik 2004 ka thënë: Kur qeveria e drejtuar nga unë arriti të merrte në administrim ligjor me mbikëqyrjen e BB-së në 1 Tetor 1997, llogarinë bankare të 24 firmave piramidale, në to u gjenden vetëm 9.5 mln USD. Ku i keni çuar gati 1.1 miliardë USD zoti Berisha? Sepse asnjë qindarkë nuk mund të tërhiqej prej këtyre llogarive, pa firmën e presidentëve të çdo firme piramidale”.

48.Bashkim Gazidede, Kryetar i SHIK-ut, 26 mars 1997 tha: “Nuk mund të pretendoj se puna ime ka qenë e përsosur. Pa pretenduar të jem më patriot sesa të tjerët, për më tepër që unë tani kam kërkuar edhe dorëheqjen nga detyra, unë kam besim se Shqipëria ka patriotë nga jugu dhe veriu të cilët duhet të angazhohen që të mos lejojnë copëtimin e Shqipërisë”.

49.Gramoz Ruçi, deputet i PS-së në vitin 2006 kja thënë: “Se 1997-a nuk lindi në një ditë. Ajo u gatua për pesë vjet, ditë pas dite, hap pas hapi, moment pas momenti. Duke cenuar pikërisht ato gjëra që cenohen sot nga kjo parti, dhe ky njeri që është në pushtet”.

50.Pjetër Arbnori, Kryetar i Parlamentit më 21 mars 1997 tha: “Parlamenti nuk njeh dhunën e kurrkujt, nuk njeh imponimin e kurrkujt. Ai nuk njeh as të ashtuquajturat komitete ushtarake, të cilat dërgojnë ultimatume dhe të cilat, në të vërtetë, nuk kanë asnjë pushtet ligjor. Parlamenti është i gatshëm t’i bëjë ballë çdo dhune dhe ta përbuzë këtë dhunë”.