Aktori merr vaksinën kineze kundër Covid, tregon simptomat përmes një apeli të fortë
Transmetuar më 31-03-2021, 14:12

Aktori Luftar Paja tregon se ka marrë dozën e parë të vaksinës “Sinovac”, para tre ditësh dhe thotë se pas amrrjes së saj ndihet shumë mirë. “E kam bërë vaksinën në datën 28. Jam shkëlqyeshëm, jo mirë, por shkëlqyeshëm. Nuk kam pasur asnjë problem”.

Aktori i mirënjohur thotë se dozën e dytë do ta marrë ditën e zgjedhjeve parlamentare në vend, në 25 prill. “Do të shkoj të bëj vaksinën në fillim, që të jem i sigurt dhe t’u them atyre që votojnë, shkoni bëni vaksinën”, u shpreh Paja, i ftuar sot në emisionin “Shqipëria live”.

Aktori ka një apel për të gjithë qytetarët që hezitojnë të marrin vaksinën. “I them skeptikëve, mos hezitoni se shëndeti nuk ka të majtë e të djathtë, popullsia duhet të vaksinohet. Dua që gojët e liga të mos merren me propagandën e keqe për shëndetin. Shëndeti nuk do t’ia dijë je i majtë apo i djathtë”.

Ndërkohë, në sheshin “Skënderbej” ka nisur vaksinimi masiv i popullsisë. Qytetarët, mbi 75 vjeç, që janë njoftuar nga mjekët e familjes presin në radhë për të parë dozën anti Covid.