Transmetuar më 30-03-2021, 14:52

Profesori dhe gjuhëtari i njohur, Gjovalin Shkurtaj, ashtu si edhe shumë të moshuar, mori një ditë më parë vaksinën kundër “Covid 19”.

Shkurtaj e  ka konsideruar Organizim shembullor vaksinimin masiv në qytetin e Tiranës.

Shkurtaj tregoi eksperiencën e tij dhe bëri thirrje që të gjithë të vaksinohen, pa pasur mëdyshje.

“Dje, në ditën e dytë të vaksinimit masiv të të moshuarve në Sheshin “Skënderbej” të Tiranës, ashtu si qindra të tjerë, bashkë me time shoqe, Leonorën, kishim radhën e caktuar për  ta kryer vaksinimin”, tha Shkurtaj në një postim në Facebook.

“Përshtypjet më të mira për organizimin e përsosur të regjistrimit dhe të plotësimit të dokumentacionit përkatës, mirësjellje dhe kujdes i jashtëzakonshëm për t’i shoqëruar të moshuarit deri në sallën e vaksinimit dhe, gjithandej, një pamje e radhë pune, gatishmërie dhe shërbimi të qytetëruar”.

“Përgëzojmë dhe u shprehim falënderime të ndjera organizatorëve, që nga mjekja e familjes, të gjithë punonjësve të përfshirë në këtë shërbim human e shumë të rëndësishëm, po edhe urimin e çiltër që kjo frymë rregulli e sjelljeje të kulturuar të jetë si model e shembull për t’u ndjekur kurdoherë në vendin tonë”.

“Le ta bëjmë, pra,vaksinimin dhe të vazhdojmë edhe më tej respektimin e të gjitha rregullave, në mënyrë që ta përballojmë e ta tejkalojmë sa më shpejt e sa më mirë këtë pandemi të frikshme e mizore, që po na merr jetë njerëzish edhe të moshave të reja”, u shpreh profesori si dhe një nga studiuesit më të shquar të Gjuhës sonë Shqipe.

/a.m/NOA.al