Covid-19, 100 mijë qytetarë kanë marrë vaksinën në Shqipëri
Transmetuar më 30-03-2021, 13:55

Nga nisja e procesit të vaksinimit ka arritur në 100 mijë numri i të vaksinuarve, ndërkohë që 1100 vaksinatorë të shtirë në qytete e fshatra vazhdojnë intensivisht procesin.

Shifrat u përditësuan sot nga ministrja e Shëndetësisë Manastirliu, gjatë inspektimit që Kryeministri Edi Rama bëri në qendrën e vaksinimit në Kurbin, ku në dy ditët e nisjes së fushatës së vaksinimit masiv janë kryer 600 vaksina.

“Në dytët e para të vaksinimit masive janë mbi 30 mijë të moshuar që kanë kryer vaksinën. Po vijojmë në të gjitha qytetet e fshatrat në qendrat shëndetësore. Jemi në një nivel të mirë.

Në total, bashkë me dozat e dyta, sot shkojmë në 100 mijë vaksinime nga dita e parë që kemi filluar procesin e vaksinimit.

Nuk po vaksinojmë vetëm në qendra të përqendruara, por në qytete e fshat, kudo. Të gjithë të moshuarit, sidomos ata të grupmoshës mbi 85-vjeç po vaksinohen në qendrat shëndetësore pranë vendbanimeve, si dhe po vaksinojmë edhe në shtëpi për ata që janë të pamundur”, tha ministrja.

Ajo tha se 1100 vaksinatorë në të gjithë vendin janë angazhuar për të arritur tragetin e vendosur, madje edhe për ta kaluar, tregon se kemi kapacitete për të vaksinuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive.

Ecuria e mirë e procesit dhe sigurimi i sasive të vaksinave jep një tablo optimiste për arritjen e objektivit për vaksinimit.

Rama sot në qendrën e vaksinimit në Laç

“Tani që kemi siguruar sasitë, 20 mijë janë arritur dje. Jemi vetëm në fillim, – u shpreh Kryeministri, –  e mund të shkojnë lirshëm në 30 mijë në ditë. Që do të thotë se në një kohë shumë më të shpejtë sesa e kishim parashikuar, ne mund të bëjmë dozën e parë masivisht dhe të mbyllim të gjithë pjesën vulnerabël.”

Të moshuarit, sidomos ata të grupmoshës mbi 85-vjeç vaksinimi vijon në qendrat shëndetësore afër vendbanimit, por edhe në shtëpi për ata më të pamundurit.