Transmetuar më 30-03-2021, 10:47

Deklarata e ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të zi, Vladimir Leposavic, i cili pyetjes nëse ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, iu përgjigj duke thënë se nuk mund të njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri” ka ngjallur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Leposavic u shpreh se do të pranonte krimet në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet përtej çdo dyshimi”.

Kundër deklaratës së ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në këtë shtet, pas reagimit të Bashkimit Evropian, ka reaguar ashpër  edhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Përmes një shkrimi në Twitter, Abazoviç ka  thënë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid, e se Qeveria e Malit të Zi i respekton të gjitha gjyqet ndërkombëtare.

“Në Srebrenicë ka pasur gjenocid. Qeveria e Malit të Zi respekton të gjitha gjykimet ndërkombëtare. Në këtë pikë s’ka çfarë diskutohet. Kush nuk e kupton këtë gjë, s’ka vend në institucione e në funksione shtetërore. Le të shohim nga e ardhmja, kemi shumë punë për të bërë”, ka shkruar Abazoviç. /K.B/NOA.al