Transmetuar më 29-03-2021, 12:00

Qytetarët duan prodhime bio, por asnjë institucion nuk kryen analiza. "Boom" importesh, pa cilësi dhe pa shije. Autoritetet: Shumë tregje jashtë standardi

Çfarë ushqimesh kemi, çdo ditë, në tryezat tona? Sa të sigurta janë ato? A kontrollohen mallrat e importit? Po produktet e ashtuquajtura bio, që blejmë te fermerët e zonës?

Përse frutat, zarzavatet dhe perimet, sot, nuk kanë atë shijen dhe aromën e viteve me parë?

Këto janë bisedat më të zakonshme që hasim në shoqërinë shqiptare çdo ditë, ndërkohë që askush nuk ka një përgjigje konkrete, sa të sigurta janë ushqimet që ne konsumojmë.

Rrugicat pranë tregjeve të kryeqytetit, por edhe qyteteve të tjera, përgjatë orëve të para të ditës e deri në mesditë, janë të mbushura plot me tregtarë ambulantë të cilët shesin produkte të ndryshme, duke filluar nga qumështi, zarzavatet, perimet, vezët dhe bulmeti.

Qese të mbushura me ullinj, spinaq, sallatë jeshile, bidonë me qumësht, djathë apo gjalpë, vezë, majdanoz apo lakër e bardhë, janë disa nga produktet e shumta të cilat mund ti gjesh, me lehtësi, në çdo rrugicë, pranë tregjeve në kryeqytet.

Vetë këta "tregtarë të palicencuar", shprehen se vijnë çdo ditë ose së paku disa herë në javë, në kryeqytet, për të shitur produktet e tyre bio, të cilat preferohen gjithnjë e më shumë.ë nga qytetarët.

"Vij, gati 3-4 herë në javë në Tiranë, për të shitur produktet e fermës së vogël që kam. Aty punojnë prindërit e mi dhe unë merrem vetëm me pjesën e shitjes. Shumicën e perimeve dhe zarzavateve i kam të shitura, pasi klientët më kanë porositur më herët për ato çka duan" – pohon Altin S., nga Shesh-Ndroqi i Tiranës.

E ndërsa e pyet nëse produktet që shet, janë të kontrolluara dhe të sigurta, të jep një përgjigje diplomatike, "A ka më të sigurta se të rritura nga vetë dora e njeriut? Sot të gjithë këto ushqime kërkojnë", – të thotë Altini i cili nuk është më shumë se 25 vjeç.

Pak më poshtë, një tjetër fermer mbi një arkë, ka vendosur qepë të njoma, spinaq dhe, përkrah tyre, bidonët e qumështit. Kur e pyet për këtë të fundit, nëse është i freskët dhe i mirë, përgjigjja e tij duket se është e njëjtë për të gjithë.

"Po po, qumështi është i freskët, i sotshëm, i mëngjesit dhe nuk e hollojmë ose t’i heqim ajkën". Ndërsa e pyet për sigurinë dhe përmbajtjen bakteriale që ai mund të ketë, fermeri të siguron me fjalët, "ta marrësh pa merak dhe do kthehesh sërish për të blerë".

Shitësi i qumështit pohon se çdo ditë, klientët e tij i sigurojnë bidonë plastikë, që më herët janë përdorur për ujin e pijshëm.

Por, cila është arsyeja që klientët preferojnë këtë lloj qumështi, cilësia apo çmimi më i lirë? E ndërsa kalon përmes tregut të fruta-perimeve, sytë të kapin dy lloje standardesh, tezga të mbushura me produkte të vendit dhe ato të importit.

Tregtarët pohojnë se, pjesa më e madhe e produkteve, janë prodhim vendi, kryesisht nga zona e Korçës dhe Lushnjës, por nuk harrojnë të përmendin edhe produktet e importit, të cilat vijnë kryesisht nga Greqia, Maqedonia dhe Italia.

"Mollët, patatet dhe qepët janë të Korçës, kurse domatet, specat, brokoli, karota janë të Lushnjës. Pastaj ke portokallin nga Greqia, kurse shegët dhe portokalli i shartuar me shegë, vjen nga Italia" – pohon Gentian. L., tregtar pranë tregut të shkollës "Vasil Shanto". Sipas tij, pikat e shumicës janë ato që kryejnë furnizimin e përditshëm.

SITUATA

Pavarësisht panoramës që shohin çdo ditë konsumatorët në njësitë blerëse, si në kryeqytet ashtu edhe në rrethe, askush prej tyre nuk ka informacion se sa të sigurta janë produktet ushqimore që konsumojnë.