Shqipëria luan nesër me Anglinë, mungon një lojtar i rëndësishëm
Transmetuar më 27-03-2021, 21:05

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë nesër një ndeshje luksi përballë Anglisë, në kuadër të eleminatoreve të Kampionatit Botëror të Futbollit, Katar 2022.

Por duket se një lajm i keq ka ardhur për trajnerin Edi Reja, i cili do të luajë në mungesë të një prej lojtarëve më të mirë.

Marash Kumbulla nuk do të luajë përballë “3 luanëve” pas disa problemeve, dhe është nisur drejt Romës.

“Kemi zgjidhje të tjera, kemi Ismajlin, Gjimshitin dhe Veselin që mund ta aktivizojmë në atë rol. Te Salernitana luan në qendër të mbrojtjes në krahun e majtë. Nuk mendoj se do të kem probleme në fazën mbrojtëse, kushdo të zbresë në fushë do të bëjë mirë. Më vjen keq për Kumbullën se po bënte mirë, por nuk donim të rrezikonim me të”, tha Reja në konferencë për mediat.

Përballë një skuadre si Anglia, italiani u kërkon lojtarëve të luajnë me zgjuarsi.

“Anglia është skuadër e fortë dhe ka shumë lojtarë të rinj me perspektivë. Ka shumë kualitete. Kejn është e tashmja, por ka edhe lojtarë si Foden e Mount që janë të rinj dhe kanë kohë për të treguar aftësitë për të ardhmen.

Duhet të tregohemi të kujdesshëm në aspektin fizik pasi anglezët janë të shpejtë dhe agresivë. Ne duhet të japim më të mirën tonë, por nuk mund të luajmë në mbrojtje 90 minuta duhet edhe të krijojmë. E respektojmë Anglinë, por kjo do të jetë tjetër ndeshje nga ajo që ata luajtën me San Marinon”, tha Reja. /k.k/noa.al/