Transmetuar më 26-03-2021, 23:07

“Jeta ime, as vetë nuk di të tregoj se si ka qenë. Derisa isha vajzë, kam qenë shumë mirë, kishim pak, ama kënaqeshim me aq sa kishim. Që kur u martova, tre vite më parë, vetëm poshtë e më poshtë kam shkuar”.

Kështu nis rrëfimi i “Albinës”, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e VOA dhe është ndryshuar për shkaqe sigurie. Ajo u rrit në një familje prej 13 anëtarësh. Jetën si vajzë e kaloi me vështirësi financiare në familje, por ditë më të rënda po e prisnin pas martesës.

Rrëfimet e saj për dhunën që ka përjetuar nga bashkëshorti ndër vite e rëndojnë shumë dhe shpesh mbetet pa fjalë…

Pak kohë pasi u martua, Albina ngeli shtatzënë. Një shtatzëni që thotë ta ketë kaluar me shumë vështirësi për shkak të keqtrajtimit fizik nga bashkëshorti.

“Një mbrëmje, rreth orës dy pas mesnatës, kisha gjakderdhje e cila zgjati deri në mëngjes. Në mëngjes i thashë atij ‘a mund të më dërgosh tek mjeku sepse nuk jam mirë dhe kam gjakderdhje? Më tha jo. Për çdo gjë, të mirë a të keqe, gjithmonë më thoshte jo”, thotë ajo.

Një nga momentet më të vështira gjatë jetës me të, thotë Albina, ishte dita kur bashkëshorti e rrahu derisa i ra të fikët.

“Më ka rënë me çka kishte mundësi, së fundmi më ka gjuajtur me një thupër derisa më ra të fikët, në prani të kunatës. Nuk isha më e vetdijshme se çfarë ndodhi më pas, deri kur u zgjova të nesërmen në mëngjes”, rrëfen Albina.

Krahas dhunës fizike, ajo thotë se bashkëshorti i saj ka ushtruar vazhdimisht dhunë seksuale mbi të.

“Vetëm si ta kryejë marrëdhënie e të dalë, tjetër gjë nuk i interesonte. Nuk i ka interesuar nëse jam lënduar shpirtërisht, fizikisht apo psiqikisht”, thotë Albina.

Lindja e vajzës solli probleme të reja…

“Vajzat zakonisht nuk i do, ka qejf vetëm djem. Unë mendoj se si vajza – si djali është e njëjta gjë për atë që di të vlerësoj. Madje, për mua vajza është më e vlefshme se djali, por çfarë të bëj? Fati ishte i tillë për mua”, thotë ajo.

Albina jetoi duke mbajtur peshën e përjetimeve të saj vetëm mbi supe të veta për rreth tri vjet.

“Prisja që ai të ndryshonte dhe situata do të përmirësohej, por kur e pashë që asgjë nuk po bëhej më mirë, vendosa të ikja dhe nuk kthehem më kurrë, çfarëdo që të ndodhë, unë nuk do të kthehem më në atë vend. Vështirë, vështirë shumë, nuk ka gjë më të vështirë në jetë. Të gjitha i kam përballuar, por kur e rrihte vajzën, më dukej vetja sikur futesha në zjarr”, thotë ajo.

Kur vendosi të largohej nga shtëpia e bashkëshortit, nuk gjeti shtëpinë e vjetër ku jetonte si vajzë meqë vëllezërit i thanë se “aty nuk ka më vend për të”.

Pa shkollim të lartë, pa një profesion e një punë, me fëmijë të vegjël për t’u përkujdesur, zgjidhja e vetme për të ishte vendosja në një nga dhjetë shtëpitë e sigurta të licencuara në Kosovë për qëndrim të përkohshëm të grave që përjetojnë dhunë në familje.