Transmetuar më 25-03-2021, 16:03

Policia e Shtetit deklaron se ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë do të luhet, të paktën sa i përket këti institucioni.

Më anë të një deklarate për mediat, policia thotë se Federata Shqiptare e Futbollit u nxitua kur tha se nuk janë marrë masat për zhvillimin e këtij takimi, ditën e dielë.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë e deri në përfundim të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Anglisë.

Duke shprehur keqardhje për reagimin e nxituar në media të FSHF-së, në kundërshtim të hapur me frymën e bashkëpunimit mes dy institucioneve, rikujtojmë se komunikimin FSHF si për çdo ndeshje ndërkombëtare e ka mbajtur me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe jo me DVP Tiranë”, thuhet në reagim.

Në fund thuhet se “Policia e Shtetit siguron qytetarët se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për ndeshjen ndërkombëtare të futbollit Shqipëri – Angli”. /k.k/noa.al/