Policia nuk garanton mbarëvajtjen e ndeshjes me Anglinë, FSHF: Anulimi, katastrofë për Shqipërinë
Transmetuar më 25-03-2021, 11:49

Në rrezik ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës "Katar 2022", Shqipëri-Angli

Policia e Shtetit nuk merr përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes.

Policia i ka dërguar një shkresë FSHF-së, kur mbeten vetëm tre ditë nga ndeshja, që është planifikuar të luhet në stadiumin kombëtar, më 28 mars, ora 18:00.

“Sot në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbërritur një shkresë, me numër protokolli 2877, e datës 23.03.2021, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me firmën e Drejtuesit të Parë, Rebani Jaupi, e cila thekson se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë nuk garantojnë marrjen e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00”, thuhet në njoftim.

“Gjendur përballë situatës ku autoritetet shtetërore nuk kanë reaguar pas kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit, të datës 17.03.2021, me numër protokolli 538, drejtuar Znj. Dallëndyshe Bici, Drejtuese e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Z. Mariglen Qato, Drejtues i Inspektoriatit Urbanistik Vendor Bashkisë Tiranë, për lirimin e hapësirave në perimetrin e Stadiumit, kërkojmë reagim urgjent të këtyre strukturave”.

FSHF tha se anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit tonë, ekipin Kombëtar dhe në përgjithësi për futbollin shqiptar./a.m/NOA.al