Transmetuar më 23-03-2021, 21:32

Ka kaluar një vit që nga 9 marsi kur nisën rastet e para zyrtarisht, të personave të infektuar me Covid-19. Shumë mjekë janë shprehur se në janar-shkurt ka pasur mori rastesh epidemike në spitale, por në atë periudhë nuk bëheshin testime për koronavirusin e ri.

Një vit më pas, situata aktuale konsiston në disa elementë. Së pari ka një rënie të personave të shtruar në spitalet Covid. Rënie ka edhe te personat e intubuar.

Së dyti, reduktim të ndjeshëm ka edhe te numri i të infektuarve. Nëse deri ne fund të shkurtit mesatarja e të infektuarve ishte deri 35 për qind e të testuarve në 24 orë.

Aktualisht prej ditësh evidentohen vetëm 15 për qind të infektuar në totalin ditor të të tamponuarve

Së treti ka një rënie domethënëse të viktimave. Ndërsa shkurtit shënonte mesatarisht 20 të vdekur në ditë, aktualisht janë më pak se gjysma e tyre.

Së katërti kanë hyrë vaksinat dhe ato po ndërpresin zinxhirin e transmetimit. Janë kryer mbi 51 mijë vaksinime, janë 90 mijë të tjera në dispozicion dhe më shumë të tjera priten të vijnë.

Vaksinimi ka reduktuar ndjeshëm infektimin e shkaktuar nga bluzat e bardha, të moshuarit dhe mjekët e pedagogët.

Këto katër faktorë janë nxitës së bashku me disa të tjerë që noa.al jua rendit më poshtë të bindjes se është çështje muajsh reduktimi i ndjeshëm i pandemisë Covid-19 dhe rikthimi deri diku në normalitet.

Pavarësisht se vaksinimi synon të mbulojë pjesën më të madhe të popullsisë në moshë vaksinimi, pra 18 vjeç e lart, fakt është që pandemia e ka bërë të vetën në Shqipëri. Ajo u përhap gjerësisht në vendin tonë. Sidomos në Tiranë ku jeton praktikisht gjysma e banorëve të vendit.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se janë afro 123 mijë të infektuar, ndër të cilët aktivë sot, janë 33 mijë persona.

Këtë shifër nuk e beson askush. Madje as Akademia e Shkencave të Shqipërisë e cila ka dalë me të dhëna studimore që sugjerojnë se gjysma e popullsisë është imunizuar pasi është infektuar me ose pa simptoma të dukshme.

Një tjetër faktor nxitës i bindjes se pandemia do të zbehet shumë pas pak muajsh, është mënyra e re e jetesës që ka pllakosur shqiptarët. Shumica janë të kujdesshëm, higjiena është rritur drastikisht, maskat po mbahen pasi njerëzit e kanë kuptuar se ajo mbron dhe nga infektime të tjera.

Në këto kushte, pandemia duket se në rastin më të mirë do të reduktohet dukshëm para verës dhe kjo pritet të ndodhë pasi alternimi i fluksit të deritanishëm të infektimeve dhe shtimi i të vaksinuarve, krijojnë atë që quhet imuniteti i tufës. Dihet se ky imunitet krijohet kur imunizohen përmes vaksinimit dhe infektimit, midis 65 deri 75 për qind e popullatës.

Një tjetër faktor nxitës është kthimi pas në kohë në pandemitë e tjera. Ajo më e njohura, gripi spanjoll, preku rreth 25 për qind të popullsisë së botës, 500 milionë njerëz ndër afro 1.8 miliardë që ishin atëherë.

Tezën se pandemia do të zbehet ndjeshëm në verë, e shohin si të mundshme edhe ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik. Ata parashikojnë një situatë optimiste sa i takon ecurisë së pandemisë në vendin tonë.

Epidemiologu Artan Simaku thotë se shifrat e të infektuarve ditorë do të vijojnë të ulen përballë faktit se është në rritje numri i të imunizuarve.

Simaku shprehet se vera mund të sjellë normalitetin: “Shifrat janë të ndryshme duke krahasuar me muajt Tetor, Nëntor, Dhjetor. Në muajt e parë të 2021 trendi është në rritje, qoftë në personat që kanë marrë imunitet natyral qoftë dhe në personat e vaksinuar. Parashikohet që në muajt në vijim deri në fillim të verës të kemi një rritje të personave të imunizuarve që të jemi në një situatë drejt normalitetit”.

Gjithsesi këto janë vetëm parashikime. Çdo gjë mund të ndodhë, jetojmë në një botë krejt e ndryshme nga ajo e një viti e ca më parë. Le të urojmë me shpresën tek Zoti se sa më shpejt kjo pandemi do të zhduket plotësisht. /noa.al

Photo credit: Richard Borge