Transmetuar më 19-03-2021, 18:38

Kërkesa e Federatës Shqiptare të Futbollit për lejimin e tifozëve në stadiumin Kombëtar për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Botëror, Katar 2022, ka rënë në vesh të shurdhët.

Në një përgjigje të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë drejtuar FSHF-së nuk e ka pranuar kërkesën, duke mos lejuar tifozë për këtë ndeshje, e cila tani do të luhet me dyer të mbyllura.

FSHF kishte kërkuar lejimin e kufizuar të spektatorëve në masën 30 % të kapacitetit të stadiumit, praktikisht 6500 spektatorë.

“Zhvillimi i këtij aktiviteti sportiv me pjesëmarrje të spektatorëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit Covid-19, kjo për shkak se shoqërohet me grumbullime njerëzish,” thuhet në dokument.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, është planifikuar të zhvillohet më 28 Mars./a.m/NOA.al