Transmetuar më 15-03-2021, 16:23

Kompania Pfizer-BioNTech ka lëshuar një tjetër sasi të vaksinës për Covid-19 që pritet të mbërrijë mbrëmjen e sotme në aeroportin e Rinasit.

Janë 9 mijë e 320 doza që pritet të vijnë. Ende në ISHP gjenden mijëra doza të tjera të kësaj vaksine, por ritmet e ngadalta të vaksinimit kanë bërë që ato të mblidhen stok.

Nga 71.160 doza të vaksinës Pfizer-BioNTech, vetëm rreth 24 mijë janë injektuar që nga janari. Aktualisht janë të pashfrytëzuara më shumë se 47 mijë doza të kësaj vaksine dhe me sasinë e sotme arrijnë në afro 57 mijë doza.

Sakaq kanë ardhur 38.400 doza të Astrazeneca nga të cilat këto tri ditë janë injektuar rreth 1 mijë.

Në total janë afro 100 mijë vaksina gjendje, ndërkohë që ritmi i vaksinimit është midis 234 vaksinime që u raportuan dje, deri 1200 vaksinime në ditë të veçanta.

Është e paqartë përse qëndrojnë stok kaq shumë vaksina ndërkohë që çdo ditë janë me qindra të infektuar të rinj dhe shumë të vdekur.

Përkundër faktit evident, Kryeministri Edi Rama edhe sot premtoi se procesi i vaksinimit do të intensifikohet, për të lehtësuar sezonin turistik.

"Qëllimi është që deri në fund të Qershorit ne të kemi shkëputur shumë hallka të zinxhirit të infeksionit, që të kemi sezonin turistik të lehtësuar", nënvizoi Kryeministri Edi Rama. /a.b/noa.al/