Transmetuar më 11-03-2021, 21:52

Pak ditë pasi u publikuan pamje të rënda të morgut në Tiranë, mbushur plot me viktima, Ministria e Shëndetësisë nisi të publikojë çdo ditë numër vdekjesh me dy shifra. Në këtë mënyrë, mesatarja ditore që prej afro 4 muajsh është 20 viktima.

Vetëm në më pak se 70 ditët e para të 2021 janë më shumë se 800 të vdekur.

Por kush klasifikohen te shifrat zyrtare të viktimave që regjistrohen në listat ditore.

Në raportin ditor që deri sot ka arritur në 2002 të ndjerë, futen ata shtetas të cilët vdesin në spitalet Covid të Tiranës dhe 3 rajonale, kur ata rezultojnë pozitivë për koronavirus me tampon dhe janë ende pozitivë në ditën e vdekjes.

Zonja Manastirliu pranon se ka shifra shtesë të vdekjeve nga COVID-19, duke u justifikuar se kjo po ndodh dhe në plot vende të tjera të botës.

Por kush janë personat e tjerë që vdesin me Covid-19? Noa.al ka investiguar mbi këtë çështje dhe ka mësuar se në spitalet private të Tiranës, ku po kurohen dhjetëra qytetarë, vdesin mesatarisht një person në ditë deri 2 persona në javë. Noa mësoi se në spitalet private ka vdekshmëri ndjeshëm më të ulët sepse atje ka përzgjedhje të rasteve që merren përsipër duke mbajtur larg të infektuarit në faza kritike.

Po ashtu janë disa shqiptarë, shifra nuk dihet, që kanë vdekur në spitalet private dhe shtetërore të vendeve të tjera si në Turqi, Greqi, Itali, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, etj. Bëhet fjalë për shqiptarë që jetojnë në vendin tonë dhe kanë shkuar për kurim në këto vende.

Sakaq janë edhe plot shqiptarë që jetojnë në emigracion dhe kanë humbur jetën në mbarë botën. Edhe për ta nuk ka asnjë të dhënë zyrtare.

Të vdekur nga COVID-19 ka në Shqipëri edhe në banesa. Po ashtu edhe të tjerë që nuk kanë rezultuar pozitivë në ditën e vdekjes, duke u përjashtuar kështu nga shifrat zyrtare që bazohen në kriteret e mësipërme.

Në këtë mënyrë ka shumë pikëpyetje se sa është numri total deri tani i shqiptarëve që u është marrë jeta pas infektimit me Covid-19. Një gjë duket të jetë e sigurt, ata janë shumë më tepër se shifra 2002 që jepet zyrtarisht nga qeveria.

Kujtojmë faktin që Instat (Instituti Shqiptar i Statistikave) evidenton për 70 ditët e para të 2021, 26 për qind më shumë të vdekur se e njëjta periudhë e vitit 2020.

Personi i parë që rezulton i vdekur në Shqipëri nga Covid-19 daton në mes të marsit të kaluar.

Që nga 10 marsi kur nisi pandemia në Shqipëri, janë shtruar 16 mijë qytetarë, nga të cilët 12 mijë janë shtruar përmes tërheqjes me ambulanca pas telefonatës në 127. Kurse katër mijë të tjerë janë transferuar në spitalet Covid të Tiranës pasi më parë janë shtruar në rrethe. Nga 16 mijë të shtruar, më shumë se 2 mijë kanë vdekur.

Ndër ta janë zyrtarisht 27 mjekë të vdekur, por Urdhri i Mjekut thotë se janë të paktën 43 mjekë të vdekur.

Sa i përket të të intubuarve, fare pak prej tyre në Shqipëri, shërohen, thuajse të gjithë humbin jetën.

/noa.al