Transmetuar më 10-03-2021, 13:19

Skena lufte në Greqi. Një turmë e madhe njerëzish, rreth 5 mijë sipas mediave helene, doli në rrugë për të marshuar kundër dhunës policore për shkak të një përplasjeje që kishte ndodhur në fundjavë. Ata më pas kanë goditur dhe kanë rrahur brutalisht një oficer policie.

Në pamjet e publikuara nga mediat greke, shihen disa patrulla policie me motor duke kaluar në rrugën lagjen “Nea Smyrni”, Athinë, për të shpërndarë turmën e protestuesve. Sipas Kathimerini, duket se protesta ka qenë një pritë e ngritur ndaj policisë, por dhe gazetarëve e fotoreporterëve.

Demonstruesit mbanin kapuçë dhe ishin të pajisur me shishe molotov si dhe sende të forta. Njëri prej tyre, shuhet teksa tërheq nga pas shpine një prej punonjësve të policisë që ndodhej mbi motor, duke e shtrirë përtokë dhe e godet dhunshëm.

Brenda pak sekondash, aty u mblodh një turmë e madhe demonstruesisht dhe filluan të godisnin pa rreshtur për rreth dy minuta e gjysmë policin që qëndronte i shtrirë.

U desh ndërhyrja e policëve të tjerë të cilët shtynë turmën dhe mundën të shpëtonin kolegun e tyre. Polici raportohet se ka pësuar dëmtime serioze, si pasojë e goditjeve nga protestuesit, por për fat të mirë është jashtë rrezikut. Të lënduar mbetën edhe tre efektivë të tjerë.

Të paktën 10 persona janë shoqëruar në polici. Pas kontrolleve në zonë, u gjetën dhe sekuestruan shishe molotov dhe pajisje ndezëse.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një reagim të sotëm dënoi sulmin si të papranueshëm dhe premtoi se autorët do të vihen para përgjegjësisë për të marër ndëshkimin e merituar.