Opinion/ Spitali elektoral i Fierit, si shans i humbur
Transmetuar më 09-03-2021, 18:45

Nga Erion Dasho

Ndërtimi i Spitalit të Levanit ka bërë një progres të jashtëzakonshëm. Infrastruktura bazë duket tashmë e përfunduar dhe besoj se edhe instalimet dhe porositja e pajisjeve mjeksore duhet të jetë në progres e sipër.

Do të ishte bukëshkalësi qoftë edhe një fjalë e vetme negative e thënë kundër miqve turq të cilëve ju kërkua një spital për tre muaj dhe dhuruan një spital për tre muaj!

Faleminderit nga zemra!

***

Problemi është si gjithmonë me Boratin. Duke kërkuar një spital elektoral, Borati shpërdoroi një mundësi të artë që nuk përsëritet shpesh.

Për shkak të urgjencës së panevojshme, Borati na bëri peshqesh një tjetër spital të ngjashëm me 50 e kusur spitalet e modelit sovjetik të pranishëm në çdo cep të vendit.

Në kundërshtim me atë që pretendon Borati, ky spital nuk mund të bëhet modeli për t’u ndjekur në reformimin aq të domosdoshëm të sektorit tonë spitalor.

Përse?

Në kohën moderne spitalet janë shkëputur nga modeli i dikurshëm i zhvillimit horizontal që më tepër se qendra kujdesi të përqendruar, i shihte spitalet si qendra qëndrimi afatgjatë dhe rehabilitimi.

Spitalet bashkëkohore janë struktura shumë katëshe me tre apo më shumë kate nëntokësore (ku instalohet diagnostika, shërbimet mbështetëse, mjediset e shërbimit dhe parkimi).

Spitalet pajisen me një sistem të sofistikuar ashensorësh që synon transportimin sa më të shpejtë të pacientit nga një shërbim në tjetrin për të minimizuar kohën e qëndrimit dhe për ta bërë udhëtimin e pacientit sa më të shkurtër dhe efiçiencën sa më të lartë

Mbi të gjitha, këto struktura janë më miqësore për mjedisin, zënë më pak vend dhe kërkojnë më pak energji për ngrohje dhe ftohje. Për këtë arsye një pjesë e rëndësishme e studimit të fizibilitetit që u la pas dore në Levan, e zë studimi i ndikimit mjedisor të spitalit.

Si gjithçka tjetër e Boratit, edhe spitali i Levanit nisi dhe bitisi jo si një projekt strategjik për vendin, por si një ndërmarrje elektorale, demagogjike dhe sa për sy e faqe.

Një tjetër rast i shpërdoruar për ta projektuar shëndetësinë shqiptare drejt reformimit.

Turp dhe gjynah!