Transmetuar më 07-03-2021, 22:46

Subjektet politike në Shqipëri, ditën e nesërme në mesnatë, kanë afatin e fundit për të dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka bërë një reagim lidhur me këtë çështje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasadorja iu bën thirrje partive që të fusin në lista emra të cilët nuk kanë probleme me ligjin.

Kim shprehet se kryetarët e partive politike mbajnë përgjegjësi për çdo emër që përfshihet në listat që do të garojnë më 25 prill.

Ajo thotë se SHBA do të mbështesë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e listave të kandidatëve.

”Nesër është afati i fundit që partitë të paraqesin listat e kandidatëve për zgjedhjet 4/25.

SHBA ka qenë jashtëzakonisht e qartë për përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, duke përfshirë në lidhje me ligjet dhe përcaktimet e SHBA nga Sekretari i Shtetit.

Kështu votuesit e shqiptarët nga të gjitha sferat e jetës më thonë se shqetësimi i tyre më i madh është se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmëria kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë nëse udhëheqësit e kanë kuptuar mesazhin nga, nëse ata janë të përkushtuar për anëtarësimin në BE dhe nëse janë të gatshëm të marrin vendimet e vështira të nevojshme për një të ardhme më demokratike dhe të prosperuar për Shqipërinë.

Ne presim që krerët e partive të demonstrojnë lidershipin e vërtetë.

Ne do t’i bëjmë përgjegjës drejtuesit e partive.

Ne gjithashtu do të mbështesim fuqimisht Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa shqyrton dorëzimin e listave të kandidatëve, e cila është një detyrë që duhet të ndërmerret para së gjithash në emër të votuesve shqiptarë.”– shprehet Kim në reagimin e saj.