Transmetuar më 07-03-2021, 20:22

Pjesë e rubrikës “Shihemi në Gjyq” në tvklan, është bërë Emineja dhe djali i saj Albani dhe ka ardhur në vend të vëllait Valisit. Emineja prej 7 vitesh kujdeset mbesën e saj e cila është braktisur nga e ëma që në moshën 3 vjeç.

Ata jetonin të gjithë në Turqi, por nusja vendosi që të ndahej nga partneri i saj dhe të largohej në Francë. Emineja ka sakrifikuar dhe e ka rritur vetë mbesën sepse edhe djali i saj ka ikur në Francë dhe ka krijuar familje tjetër.

Emineja: Unë kam ardhur nga Shkodra, më ka ndodhur në Turqi një ngjarje që unë për vete e quaj të jashtëzakonshme. E shoqja e çunit të vogël Elmedina ka braktisur një kalama 3 vjeç në atë kohë. Sot goca është bërë 10 vjeç. Ka 7 vite që asnjëri nuk përgjigjet për gocën. Kam 7 vite që nuk asnjë lloj të drejte, mirë që e kanë bërë dhe e kanë lënë, mirëpo nuk më japin asnjë lloj të drejte.

Albani: Më falni zonja Eni, jam Albani, vëllai i Valisit, kam ardhur sepse Valisi është në Francë, babai i Elifit. Është pa letra, është martuar dhe s’kishte mundësi të vinte dhe erdha unë.

Emineja tregon se edhe nëna e vajzës është martuar dhe jeton në Francë dhe vajzën ia kanë lënë asaj. Ajo thotë që nuk ka mundësi ta rrisë më sepse është dhe e sëmurë.  Ndërsa Albani thotë nëse i vëllai vjen nga Franca, i prishen letrat dhe shkatërron familjen e tij që ka andej.

Eni Çobani: Valisi ka pasur një lidhje me Elmedina Sulaj nga e cila ka ardhur dhe një fëmijë. Në moshën 3 vjeç, kjo vajzë është braktisur nga Elmedina dhe është lënë tek nëna juaj dhe tek vëllai. Më pas vëllai juaj është martuar. Me Elmedinën ka qenë i martuar apo ka bashkëjetuar?

Emineja: Ka bashkëjetuar.

Eni Çobani: Fëmija ka ardhur nga një bashkëjetesë. Me këtë tjetrën është martuar apo bashkëjeton?

Albani: Është martuar.

Eni Çobani: Dhe ka ardhur në jetë një fëmijë tjetër apo jo? Tani kjo zonja e dinte që e mori burrin me fëmijë?

Albani: Po e dinte.

Eni Çobani tregon se vajza po jeton në mënyre të paligjshme me gjyshen e saj sepse ajo është regjistruar në certifikatën familjare të gjyshit të saj nga nëna. Madje nëna e saj e cila jeton në Francë nuk e ka marrë kurrë në telefon gjyshen për ta pyetur si është vajza e saj.

Emineja tregon se dikur jetonin në Turqi dhe kur ndodhi kjo ngjarje, ajo u detyrua të kthehej në Shkodër sesa e ëma e mbesës kur iku nuk i la asnjë lloj prokure për kujdesin e saj dhe nuk mund të shkollohej aty. Gjyshja sakrifikoi çdo gjë  dhe u kthye në Shqipëri që të fuste vajzën në shkollë.