Transmetuar më 07-03-2021, 11:19

Kryeministri Edi Rama tha nga Lezha se mosmarrja deri tani e vaksinës ruse apo kineze nuk është çështje gjeopolitike, por çështja është se nuk ka vaksina.

Sipas kreut të qeverisë, vaksinat nuk kanë dalë në treg.

Kreu i qeverisë nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen Shqipëria të furnizohet me vaksinat që do të jenë në dispozicion, me qëllim vaksinimin masiv.

‘Deri dje kënga ime thoshte ‘Çdo gjë bën vaki jetojmë në Tironë’, tani duhet të them ‘Çdo gjë bën vaki jetojmë në Evropë’.

“Gjermania që është lokomotiva e Evropës, ka filluar të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë për vaksinat ruse dhe kineze”.

“Duket e pabesueshme por është e vërtetë, duket që kontinenti më i fuqishëm i planetit gjendet në këtë situatë. Siç dukej kur momenti i pandemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi, pavarësisht sa të pasura janë. Bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord në shpikjen e vaksinës për COVID”.

“Kjo i dedikohet zhvillimit të shkencës, por këtu jemi në kushtet kur pak kompani, sot janë 4 kompani dhe është gjithë bota që do vaksinën, po të shtojmë dhe kinezen dhe ruse u bën 6. Nuk jam aspak i bindur se mund të bëhet, por çdo gjë mund të bëhet në këtë Europë”.

“Një gjë dua të shtoj ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinës kineze dhe ruse është çështje gjeopolitike, nuk është kështu, vaksinat nuk kanë dalë në treg që shko atje dhe i ble. Vaksina nuk ka! Të gjitha janë me sasi shumë të vogla në raport me kërkesën. Kur Amerika nuk ka vaksina sot për të mundur të thotë që të japë qoftë edhe një dozë jashtë Amerikës, nuk i ka vaksinat stok prodhon vaksinon”.

“Nuk është vaksina kineze e dalë në treg dhe të shkojmë që ta blejmë. Nuk ka, lufta që bëhen, për të marrë ato që janë. Është një luftë e madhe. Jam i kënaqur sepse ka vende që nuk kanë bërë asnjë gjilpër, nuk mjafton por ama po ecim. 140 shtete të botës nuk kanë bërë asnjë vaksinë’- tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha po ashtu se procesi i rindërtimit do kohë dhe në momentin që janë nxjerrë eskavatorët në terren është bërë 60-70% e punës. Por sipas kreu të qeverisë, ky tashmë është një proces i pandalshëm dhe se shumë shpejt do të përfundojë edhe ndërtimi i komplekseve të banimit.

Gjithashtu Rama foli edhe për përmbytjet, ku tha se nuk i shpëton dot as Gjermania.

Sa i përket pagës minimale, kryeministri u shpreh se ajo do të rritet sërish përtej 30 mijë lekëve të reja, që është aktualisht, ndërsa paga deri në 40 mijë lekë (të reja) do të hiqet nga taksimi në vitin 2022, duke u shprehur i sigurt se PS do të sigurojë një mandat të tretë.