Plani i Greqisë për t’i kthyer të gjithë ishujt ‘pa Covid’, turizmi do të hapet në maj
Transmetuar më 07-03-2021, 10:32

Qeveria Greke planifikon të vazhdojë me vaksinimet masive në mënyrë që të krijojë ishuj “pa Covid” në Egje dhe Detin Jon si dhe të hapë vendin sa më shumë për turistët.

Sipas raporteve të medieve helene, ishujt pa Covid për fillimin e sigurt të sezonit turistik do të jenë gati deri në Pashkë, më 2 maj 2021.

Sipas një raporti nga gazeta Ta Nea, plani i ishujve pa Covid është duke u përpunuar me qëllim hapjen e sigurt të sezonit të turizmit.

Deri në fillim të javës, 320 "misione vaksinimi" ishin kryer ekskluzivisht në banorët e ishujve me ndihmën e Forcave të Armatosura Greke.

Vaksinimet janë "horizontale", që do të thotë të pavarura nga grupmoshat, dhe në fazën e parë do të kryhen në një total prej 40 ishujsh më të vegjël me më pak se 1.000 banorë të përhershëm, si në Kastellorizo ​​dhe Thymaina, të dy në Lindjen e detit Egje.

Vendi është në një situatë jo aq të mirë nga pandemia, megjithatë, sipas informacionit të marrë nga Ta Nea, qeveria dëshiron që të gjithë banorët e ishullit të vaksinohen brenda dy muajve të ardhshëm, edhe nëse do duhet edhe për ishuj të mëdhenj, të tillë si Kreta ose Rodos dhe Korfuzi, vaksinat do të jenë "gati".

Pak ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Kujdesit Shëndetësor, Marios Themistokleous, tha se sipas planit, deri në fund të Prillit, "të gjithë banorët e ishujve do të jenë vaksinuar, me përjashtim të mundshëm të disa ishujve të mëdhenj.”

Qëllimi kryesor është që të vaksinohen edhe njerëzit më të rinj se 64 vjeç dhe t’u jepet "përparësia kryesore banorëve të ishujve, megjithë kushtet e papërshtatshme të temperaturës për vaksinën Pfizer, vë në dukje gazeta, duke shtuar se qeveria ka thënë se "një milion doza priten në Prill.”

Duke cituar Kryeministrin, Kyriakos Mitsotakis, kreu i qeverisë ka folur për rëndësinë që kanë "faktorë të tjerë përveç shëndetit, më politik ose më ekonomik".

Duhet të kujtojmë se Greqia po bën presion që “leja dixhitale e vaksinimit të miratohet nga Bashkimi Evropian”.

Qeveria kërkon të drejtojë procedurat për futjen e certifikatës dixhitale të vaksinimit në mënyrë që të hapë rrugë për udhëtarët e vaksinuar edhe në maj./a.m/NOA.al