Transmetuar më 06-03-2021, 22:45

Një aeroplan i ‘Air France’ që ishte nisur nga Parisi për në New Delhi bëri një ulje emergjente të premten në Aeroportin e Sofjes në Bullgari, për shkak të një pasagjeri, thanë të shtunën zyrtarët bullgarë.

Sipas Reuters, pasagjeri, një shtetas indian, filloi të grindej me pasagjerë të tjerë, duke sulmuar një stjuardesë si dhe duke goditur derën e kabinës, tha Ivailo Angelov, një zyrtar në Agjencinë Kombëtare të Hetimit.

Sjellja e tij agresive e shtyu komandantin e fluturimit të kërkonte një ulje emergjente në qytetin e Sofjes.

Burri, emri i të cilit nuk u zbulua, u mor nga avioni dhe u akuzua për rrezikimin e sigurisë së fluturimit. Në rast se shpallet fajtor, ai do të përballet me 10 vjet burg.