Transmetuar më 06-03-2021, 21:08

Mbledhja e Komitetit të Ekspertëve e paralajmëruar për të hënën e kaluar, për caktimin e masave të reja kufizuese jo vetëm nuk u zhvillua, por ajo vijon të mbetet pezull.

Aktualisht në vend është në fuqi ora policore që nis pas orës 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Komiteti i Eksertëve mësohet se do të mblidhet këtë të hënë, pas dy javësh, siç edhe e përcakton rregullorja, për të  vlerësuar situatën e fundit Covid-19.

Në mbledhjen e 25 Shkurtit i pandryshuar ngeli dhe vendimi për vijimin e mësimit online në gjimnazet e 7 bashkive: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz.

Mjekja Silva Bino deklaroi rreth një javë më parë se komiteti do të mblidhej për vendosur masa të reja kufizuese në varësi të situatës së COVID përgjatë fundjavës së kaluar, mbledhje kjo jashtë radhe, por u anulua në momentin e fundit.

Duke qenë se mbledhja e paralajmëruar nuk u realizua, kjo bëri që vendimi i ri të shtyhej për javën sipas afatit të paracaktuar. Duket se anëtarët nuk ishin në një mëndje për të shtrënguar masat kufizuese pak ditë më parë.

Këtë të enjte, në mëngjes mjeku Tritan Kalo njoftoi largimin nga Komiteti i Ekspertëve. Ai tha se politika ka përçarë mjekët, por pa dhënë më shumë detaje për arsyen e largimit.

Po këtë javë, shefja e Infektivit Najada Çomo u shfaq krah kryeministrit Edi Rama në prezantimin e sfidave në fushën e Shëndetësisë, ku ky i fundit zyrtarizoi kandidaturën e saj për deputete të PS-së në zgjedhjet e 25 Prillit.

Në 6 ditët e para të muajit Mars në vend janë shënuar 120 humbje jete, 21 vetëm në 24 orët e fundit.

Në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 639 pacientë, 35 në terapi intensive, nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar. Ndërkohë në vend aktualisht janë 35,808 raste aktive me COVID./a.m/NOA.al