Transmetuar më 06-03-2021, 18:11

Një emër tjetër legjendar i futbollit, nën akuzë për evazion fiskal.

Sipas “Football Leaks” dhe dokumenteve konfidenciale të publikuara nga gazeta gjermane “Der Spiegel”, Ronaldo Nazario De Lima, i njohur nga të gjithë si “Fenomeni”, nuk është taksuar për të ardhurat që përfitonte si ambasador i Real Madrid.

Ronaldo përfitonte 1 milion euro në vit për detyrën në të cilën u emërua në vitin 2016, momenti kur Florentino Perez rimori presidencën e klubit.

Së bashku me ish-sulmuesin, rolin e ambasadorit e morën edhe dy emra të tjerë të mëdhenj të madrilenëve, Roberto Carlos dhe Raul Gonzalez. Sipas raportimeve, edhe pse përfitoi miliona euro, Ronaldo dhe klubi i Realit nuk kishin firmosur kontratë, duke bërë që ish-legjenda të shmangte taksat në shtetin spanjoll.

Ronaldo u transferua nga Inter në Bernabeu në vitin 2002, për afro 46 milionë euro.

Me Realin ai realizoi  104 gola në 117 ndeshje të luajtura në harkun e 5 sezoneve. Në karrierën e tij, braziliani ka fituar dy herë Topin e Artë dhe dy Kupa Bote.

Në vitin 2018, Ronaldo mori pronësinë e klubit të Real Valladolid, duke blerë 51 për qind të aksioneve, ndërkohë që ishte në detyrën e ambasadorit të Realit të Madridit. Aktualisht, ai zotëron 82% të aksioneve në stadiumin José Zorrilla.

Kujtojmë se janë akuzuar për evazion fiskal edhe yje të tjerë si Cristiano Ronaldo dhe Leo Messi.

/a.m/NOA.al