Transmetuar më 06-03-2021, 15:44

Koronavirusi SARS-CoV-2 mund të zbulohet në sytë e shumicës së pacientëve të infektuar, për më tepër, në disa raste, pozitiviteti i sipërfaqes së syve, mund të ekzistojë edhe në prani të një tamponi negativ nazofaringeal.

Këto janë rezultatet kryesore të një kërkimi të ri, të kryer në Italinë Veriore, të udhëhequr nga shkencëtarë nga Njësia e Okulistikës e Autoritetit Territorial të Shëndetit Social dhe departamenteve të ndryshme të Universitetit të Insubrias, në Vareze.

Studiuesit, të koordinuar nga Profesor Claudio Azzolini, titullar në Departamentin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë të universitetit lombard, arritën në përfundimet e tyre, pasi kryen analiza cilësore dhe sasiore mbi praninë e koronavirusit në sytë e pacientëve të pranuar në kujdesin intensiv për COVID -19 gjatë valës së parë të pandemisë.

Konkretisht, 91 pacientë të shtruar në ASST Ospedale Sette-Laghi, midis 9 prillit dhe 5 majit të vitit të kaluar, ishin të përfshirë, plus 17 të tjerë vullnetarë të shëndetshëm, si një grup kontrolli (për të testuar vlefshmërinë e tamponëve. Pjesëmarrësit ishin në një shumicë të vogël gra (55) dhe kishin një moshë mesatare prej 58.7 vjeç.

Profesor Azzolini dhe kolegët e tij iu kryen të gjithë pjesëmarrësve tamponët konjuktivë, si dhe tamponët nazofaringeale dhe rrezet x.

Përmes një testi laboratorik të quajtur reaksion zinxhir polimerazë e transkriptimit të kundërt në kohë reale (rRT-PCR), ata shkuan në "gjueti" për ARN-në virale në mostrat biologjike të marra nga sytë.

Deri në 52, nga 91 pacientë u testuan pozitivisht me tampon konjuktiv, ose 57.1 përqind të totalit. Një nga aspektet më domethënëse të kërkimit, ishte, se në një nëngrup me 41 pacientë, u gjet një përputhshmëri prej 63 përqind midis rezultateve pozitive të testit konjuktiv dhe atij nazofaringeal, kur kryhej brenda dy ditësh nga njëri-tjetri.

Në 17 prej këtyre pacientëve, tamponi nazofaringeal ishte negativ, megjithatë në dhjetë prej tyre, tamponi konjuktiv ishte pozitiv. Në terma të thjeshtë, mund të rezultohet pozitiv për tamponin konjuktiv dhe negativ për atë "klasik".

Sipas shkencëtarëve, koronavirusi do të ishte në gjendje të përhapet nga sytë, në pjesë të tjera të trupit, duke shkaktuar infeksion dhe është për këtë arsye që mjekët, infermierët dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë që vijnë në kontakt me pozitivët, duhet të mbajnë syze ose mbrojtëse të tjera në sy.

"Është hipotezuar se virusi mund të përhapet në lëngun e gjendrave të lotit për shkak të ‘viremisë sistemike’, siç është demonstruar për HIV-in", – shkruajnë autorët e studimit dhe "ai mund të përhapet në të gjithë trupin përmes kanalit nazo-lotues.

"Ky infektim ndodh pavarësisht përdorimit të maskave", shtojnë studiuesit, duke cituar shembullin e okulistit në Wuhan, Li Wenliang, mjekut të ri që vdiq nga COVID-19, i cili u detyrua të heshtë nga policia kineze, kur filloi të përhapte lajmet e virusit.

Ekspertët e konsiderojnë të rëndësishëm transmetimin përmes pikave të mëdha të frymëmarrjes dhe të vogla (aerosolit), por është akoma e mundur që të infektoheni edhe përmes metodave të tjera: lëngjet konjuktivale dhe lotët, mund të jenë një prej tyre, megjithëse autorët e studimit të ri, nuk mund të përcaktojnë infektivitetin e mostrave të analizuara.

Sipas hulumtimit të fundit, "Ocular manifestations and viral shedding in tears of pediatric patients with coronavirus disease 2019: a preliminary report”, i kryer nga shkencëtarët nga Spitali Bambino Gesù në Romë, rreziku i transmetimit nga lotët, do të ishte akoma i ulët.

Meqenëse pacientët mund të testohen pozitivisht me tamponë konjuktivë dhe negativë me ata tradicionalë, profesor Azzolini dhe kolegët, tregojnë se e para – e përcaktuar si "lehtësisht invazive" – ​​mund të konsiderohet një test shtesë diagnostikues.

Detajet e hulumtimit, “SARS-CoV-2 on Ocular Surfaces in a Cohort of Patients With COVID-19 From the Lombardy Region, Italy”, janë publikuar në revistën e specializuar shkencore, "JAMA Ophthalmology". /e.a/noa.al/

Burimi: "Fanpage"