Transmetuar më 06-03-2021, 09:23

Pas shkurtit, që u mbyll me shifra rekord fatalitetesh si pasojë e COVID-19, edhe ditët e para të marsit nuk janë më pak të zymta.

Një tragjedi e madhe është shënuar në familjen Cara në Rubik, ku koronavirusi ka shuar një familje të tërë.

Burimet shprehen se brenda një jave, sëmundja i ka marrë jetën kryefamiljarit Hamit Cara, bashkëshortes së tij Dushe Cara dhe djalit të tyre të vetëm, Arben Cara.

Dhimbja ka tronditur jo vetëm fisin Cara, por mbarë opinionin për goditjen e rëndë që i ka dhënë një familjeje të vetme brenda pak ditësh.

Situata e pandemisë në vend po rëndohet dita ditës, me një numër të vdekurish që zyrtarisht luhatet në 19-20 persona në ditë.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe rrethe, sipas autoriteteve, po trajtohen 638 pacientë, 37 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar.

Por cila është situata sa u takon rasteve të reja? Të premten janë raportuar 780 persona të infektuar nga 3171 testime të kryera, me 21 viktima.

Prej disa ditësh Ministria e Shëndetësisë ka ulur testimet, gjë që ka sjellë edhe rënie të kurbës së infeksionit.

Por pavarësisht trajektores që ndjek ajo, është fakt që shkalla e infeksionit vijon të jetë mbi 25 përqind. /e.a/noa.al/