Transmetuar më 05-03-2021, 17:15

Zbardhet ngjarja e ndodhur sot në Drejtorinë Arsimore Fier. Autori i dyshuar i zjarr vënies së qëllimshme ishte një person i cili kishte aplikuar për t’u punësuar si mësues dhe nuk e fitoi punën.

Noa.al mëson se shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Fier, kishte aplikuar në portalin e përzgjedhjes së mësuesve, por nuk kishte fituar.

Duket se këtë gjë, 33 vjeçari nuk e ka kapërdirë dot. Ndoshta i bindur se e kishte humbur me pa të drejtë punën si arsimtar, ai ka shkuar në drejtorinë arsimore të Fierit me benzinë me vete. Në foto shikoni policinë në vendin e ngjarjes.

Me tu gjendur në katin e dytë të drejtorisë, sot rreth orës 15.10, i riu ka spërkatur me lëndën djegëse ambientet përreth dhe i ka vënë flakën.

Menjëherë më pas është larguar në drejtim të paditur.

Duke qenë se identifikimi i të dyshuarit nuk ishte tashmë i vështirë, ai u kap nga policia.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, falë punës së mirëorganizuar dhe veprimeve të shpejta profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të autorit të kësaj ngjarje, i cili për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin katit të dytë të DAR Fier duke e spërkatur fillimisht me lëndë djegëse (benzinë).

Eshtë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Fier autori, shtetasi I. A., 33 vjeç, banues në Fier, dhe po kryhen veprimet procedurale", tha policia në njoftimin e saj zyrtar mbi ngjarjen e paprecedentë. /noa.al