Transmetuar më 05-03-2021, 15:43

"Izraeli është vendi i parë në botë që ia doli të mposhtë Covid 19". Kryeministri Benjamin Netanjahu njofton se emergjenca e koronavirusit është lënë tashmë pas krahëve dhe se deri në fund të marsit, pothuajse e gjithë popullsia izraelite do të vaksinohet.

Megjithatë, qeveria izraelite ka paralajmëruar se kjo nuk do të thotë që masat do të lehtësohen: do të duhet të vazhdohet të mbahet maska, distancimi social, rregullat e rrepta për udhëtime jashtë vendit dhe karantinë në rast nevoje, sepse rastet e infektimeve vijojnë, edhe pse ato kanë rënë në mënyrë drastike që nga janari, duke konfirmuar kështu një trend pozitiv.

"Pandemia është pas nesh", tha Netanjahu, duke kujtuar se "green pass" (çertifikimi i dyfishtë i vaksinimit), do t’i lejojë qytetarët të shkojnë në restorante, bare, teatro dhe ngjarje sportive si më parë.

Pra, Izraeli do të rihapet dhe do të rifillojë jetën si më parë, duke njoftuar po ashtu një aleancë me Austrinë dhe Danimarkën për të ngritur një fond kërkimi dhe zhvillimi për prodhimin e impianteve të vaksinave.

Ndërkohë, në Evropë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kurba e infeksionit të koronavirusit është rikthyer të rritet pas gjashtë javësh rënie edhe për shkak të varianteve të reja.

Brazili shqetëson më shumë, pasi mund të kapërcejë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të arrijë vendin e parë në renditjen botërore sa i përket  viktimave për Covid 19.

Në javët e ardhshme, pritej një raport i ekipit të ekspertëve të OBSH-së, të dërguar në janar në Wuhan, Kinë, për të hetuar origjinën e Covid-19.

Por tani është kërkuar një hetim i ri ndërkombëtar, sepse ekipi që kreu misionin, nuk ka pasur qasje të mjaftueshme në institucione, laboratorë, tregje dhe spitale për të hetuar burimet e mundshme të virusit, duke përfshirë një rrjedhje të mundshme të tij nga laboratori. /e.a/noa.al/