Transmetuar më 04-03-2021, 22:02

Në tregun e zi po shiten vaksina kundër Covid-19 të kompanive Pfizer-BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna.

Rrjeti televiziv amerikan CNBC raportoi sot se janë zbuluar të paktën 15 burime shitjeje të vaksinës në mënyrë klandestine.

Bëhet fjalë për shitje përmes reklamave dhe njoftimeve në rrjet dhe në 15 subjekte farmaceutike ku shiten edhe barna nga prodhues të çertifikuar.

Për të realizuar shitblerjen e vaksinës, po përdoren aplikacionet Telegram dhe Wickr. Përmes tyre paguhen 250 dollarë ose pak më shumë se 25 mijë lekë të reja për një dozë vaksine, por edhe çmime të tjera si 300 dollarë apo 2400 dollarë për 10 doza me dorëzim postar në të gjithë botën.

Ndonëse vlerat jepen në dollarë dhe euro e pafund, pagesa bëhet me Bitcoins dhe kriptovaluta të tjera dhe jo banknota të valutave të ndryshme, për të shmangur gjurmimin përmes bankave.

Blerjet po bëhen praktikisht në të gjithë botën. Dominojnë Franca, Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj.

Siç shihni dhe në galeri, shitja bëhet duke dhënë emrin e prodhuesit të vaksinës, të dhënat e plota të saj, çmimi dhe madje foto të flakonëve. Blerësit janë nga kudo në botë.

Nuk është e qartë se si bëhet shpërndarja e vaksinës dhe nëse ajo ruhet në parametra që kërkohet.

/noa.al