Transmetuar më 04-03-2021, 10:19

Një infermier i QSUT-së është infektuar me Covid 19, edhe pse ka marrë të dyja dozat e vaksinës "Pfizer".

Lajmin e infektimit të Bledar Bregasit e jep Shoqata e Infermierëve në një postim në rrjetet sociale, ku i uron edhe shërim të shpejtë kolegut, që prej kohësh punon në QSUT.

"Ndodh në Shqiperi Infermieri infektohet pas vaksinimit. I urojmë shërim të shpejtë kolegut tonë në QSUT”, – thuhet në postimin në rrjetet sociale të shoqatës, ku është publikuar dhe një koment që ka bërë vetë Bregasi, i cili thotë se të gjitha këto i ka nga vaksina, por nuk specifikon se çfarë.

Ky nuk është rasti i parë që bëhet publik në vendin tonë, ku personeli mjekësor është infektuar pas marrjes së vaksinës.

I pari ka qenë mjeku Pëllumb Pipero, ai që u infektua me Covid, pasi mori dozën e parë të vaksinës "Pfizer", ndërkohë që infektime ka pasur dhe në shtëpinë e të moshuarve në Gjirokastër, ku drejtorit dhe disa personave të tjerë nga stafi u janë shfaqur simptoma pas dozës së parë.

Megjithatë për rastin e Gjirokastrës, ka dyshime se personat në fjalë kanë pasur simptoma edhe para se të merrnin vaksinën dhe nuk kanë treguar. /e.a/noa.al/