Transmetuar më 04-03-2021, 08:41

Një 27-vjeçar, i supozuar i vdekur pas një aksidenti automobilistik me një motor, u zgjua në spitalin e morgut, pak para se mjekët të fillonin t’i bënin autopsinë.

Ishte mjeku që po përgatitej për procedurën, ai që vuri re lëvizjet. Pas ekzaminimit të mëtejshëm, 27-vjeçari u verifikua se ishte ende gjallë.

Historia, e treguar nga "Times of India", nisi në një spital privat, për të vijuar më pas në spitalin publik të Mahalingapur, në Karnataka, të Indisë.

Pacienti ishte transferuar në institucionin publik nga familja e tij për procedurat e kërkuara nga një sigurim i jetës, pasi mjekët në një klinikë private, e shpallën atë të vdekur dhe i hoqën aparatin e frymëmarrjes.

Ndërkohë familja kishte nisur të përgatitej për varrimin dhe miqtë e të afërmit e kujtuan dhe e vajtuan atë në mediat sociale.

Trupi i 27-vjeçarit, u dërgua më pas në morg për autopsi, por këtu vjen befasia e madhe. Një nga mjekët që po përgatitej për ekzaminimin pas vdekjes, vuri re shenja jete, si dridhje dhe djersitje dhe ngriti alarmin: i riu u kontrollua përsëri dhe u zbulua se ai ishte akoma gjallë. Tani 27-vjeçari po trajtohet në një klinikë tjetër në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme.

"Një gabim shumë i rëndë nga klinika private, që për fat të mirë nuk pati pasoja tragjike", – i tha mediave një zyrtar nga Departamenti i Shëndetit Publik Shtetëror. /e.a/noa.al/