Transmetuar më 03-03-2021, 08:39

Koronavirusi vazhdon të marrë jetë njerëzish çdo ditë, përfshirë edhe personelin shëndetësor në vendin tonë.

Mësohet se tre infermierë kanë ndërruar jetë ditën e djeshme nga Covid 19. Lajmin e trishtë e njoftoi Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë përmes postimeve të saj në faqen zyrtare në internet.

Viktimat janë Nerim Vaçi infermier në Mat, një infermiere nga Lushnja me emrin Erjola dhe Lindita Peshku nga Tirana.

“Si pasojë e Covid-19, ditën e sotme, është ndarë nga jeta një infermier nga Mati, Nerim Vaçi. Shoqata e Infermierëve i shpreh ngushëllime familjes dhe kolegëve”, ishte njoftimi i parë nga shoqata.

Por, pa kaluar shumë minuta, shoqata bëri një tjetër lajmërim për një tjetër humbje nga personeli shëndetësor.

“Sërish humbje jete mes Infermierëve nga Covid-19. Infermierja nga Lushnja ka nderruar jetë pas betejës me këtë sëmundje. Shoqata e Infermierëve, i shpreh ngushellime familjes së Erjolës dhe kolegëve të saj”, mbyllet postimi.

Ajo ishte nënë e dy fëmijëve dhe një profesioniste në punën e saj, ndërsa lajmi ka lënë të tronditur familjarët, miqtë dhe kolegët e saj.

Ndërsa në një postim sot në mëngjes, komunikohet që ka humbur jetën infermierja e Poliklinikës Nr 1 e konsultorit të fëmijës në Tiranë, Lindita Peshku.

"Bluzat e bardha po përballen çdo ditë me virusin dhe po humbasin jetë .Po dje u shua një infermiere e poliklinikës Nr 1 e konsultorit të fëmijës. Lindita Peshku, qofsh e xhenetit shoqja jonë dhe shpirti jot u prehtë në paqe", – lexohet në postimin e Shoqatës së Infermierëve.

Në fakt, në luftën me koronavirusin prej marsit të kaluar kanë humbur jetën shumë mjekë dhe infermierë.

Në 24 orët e fundit, në të gjithë vendin u shënuan 19 viktima dhe 892 raste të reja me COVID 19. /e.a/noa.al/

Foto: Infermierja nga Lushnja (majtas), Nerim Vaçi dhe Lindita Peshku