Transmetuar më 02-03-2021, 09:14

Një vajzë 14-vjeçare vdiq, pasi makina në të cilën ndodhej, u godit nga një patrullë e policisë rrugore, e cila ishte vënë në ndjekje të automjetit të dy grabitësve.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Salone", një zonë periferike në Romë.

E mitura ishte në makinë me prindërit e saj, të cilët gjithashtu u plagosën rëndë. Mediat italiane raportojnë gjithashtu se dy policë u shtruan në spital.

Operacioni policor kishte nisur pas raportimit të një grabitjeje në Tivoli. Makina me autorët e dyshuar po ecte me shpejtësi për t’i shpëtuar kapjes dhe arrestimit.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, pranë një kthese, patrulla e policisë rrugore humbi kontrollin dhe u përplas ballë për ballë me makinën në të cilën udhëtonin vajza dhe familja e saj.

Makina e grabitësve u gjet më vonë e braktisur në autostradën A24. Policia vijon kërkimet për gjetjen dhe kapjen e tyre. /e.a/noa.al/