Transmetuar më 02-03-2021, 08:58

Një vajzë 9-vjeçare u vra, pasi xhiroi dhe postoi disa video në platformën TikTok, ku e shqetësuar, ajo shpjegoi se kishte dëgjuar fqinjin duke trokitur në derë për disa minuta.

Burri 33 vjeç, i dehur, qëndroi jashtë derës "për disa minuta, duke trokitur dhe fyer", shpjegon vajza në video.

Fillimisht, në ato momente në shtëpi ishin edhe prindërit, të cilët nuk ia hapën derën burrit.

Disa orë më vonë, kur vajza ishte vetëm në shtëpi me vëllezërit e saj, 4 dhe 14 vjeç, burri erdhi përsëri duke trokitur në derë.

Në atë moment prindërit kishin dalë për të marrë disa produkte. Duke menduar se ishte babai dhe nëna e saj, vajza e vogël iu afrua derës dhe e hapi.

Ndërsa po xhironte në Tik Tok, ajo u godit në kokë dhe në trup nga disa të shtëna me armë nga 33-vjeçari. Ngjarja ndodhi në Chita, një qytet në Rusi.

"Diçka e keqe po ndodh", shpjegon vajza e vogël në videon e postuar para vrasjes së saj. "Unë nuk di çfarë të bëj, unë jam shumë e frikësuar, zemra ime po rreh shumë fort".

Sipas agjencisë ruse "Ria Novosti", 33-vjeçari ishte ankuar gjatë mëngjesit me të gjithë familjen për shkak të zhurmave të shkaktuara nga punimet në shtëpi.

Babai e gjeti vajzën në një pellg gjaku, por ende gjallë. "Babi, unë po vdes", tha vajza e vogël, e cila më vonë ndërroi jetë në krahët e prindit të saj.

I dyshuari u gjet i ulur në shkallët e ndërtesës dhe i shpjegoi policisë se qëllimi i tij nuk ishte të vriste askënd, por vetëm të trembte familjen, pasi ndihej i lodhur nga zhurmat e punimeve.

Nëna e vajzës shpjegoi se puna kryhej gjatë ditës dhe asnjëherë në fundjavë, por burri, i pa punë, ishte gjithë ditën në shtëpi dhe prandaj dëgjonte gjithçka. /e.a/noa.al/

Burimi: "Fanpage"